Bota

“Sa më shpejt”, Franca bën thirrje për të dërguar më shumë ndihma në Gaza

Ministrja e jashtme franceze tha se ndihmat duhet të dërgohen në sasi më të mëdha, dhe në kohën më të shpejtë që është e mundur

E.K
“Sa më shpejt”, Franca bën thirrje për të
Ministrja franceze e Punëve të Jashtme dhe Evropiane Catherine Colonna

GAZA- Franca ka bërë thirrje urgjente për të lejuar dhe shtuar sasinë e ndihmave humanitare që duhet të dërgohen në Gaza, në një kohë që numri i viktimave është duke shkuar 8 mijë, që nga nisja e luftës në 7 Tetor. Thirrja është bërë këtë të premte nga ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna në një intervistë me radiostacionin francez RTL. 

“Është absolutisht e nevojshme që të dërgohet ndihma në Gaza në një mënyrë të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur, në vëllime dukshëm më të mëdha”, tha Colonna, duke shtuar se inspektimet në kamionët e ndihmave ishin një “pengesë e vërtetë” për rrjedhën e furnizimeve të nevojshme. 

Colonna tha se rreth 170 francezë ndodhen në Gaza, duke përfshirë dhe punonjës së OJQ-ve, së bashku me familjet e tyre dhe punëtorët në qendrën kulturore franceze në Gaza. 

Udhëheqësit e BE-së do të takohen të premten në ditën e dytë të samitit të mbajtur në Bruksel për të diskutuar çështje të ndryshme duke përfshirë krizën në Lindjen e Mesme. Udhëheqësit evropianë kanë bërë thirrje më parë për një "pauzë" humanitare për të ofruar ndihmë për civilët në Gaza, për shkak të situatës së rënduar veçanërisht në spitalet e vendit.

Kamionët e parë që transportonin ndihma hynë në Gaza nëpërmjet kalimit Rafah të shtunën e kaluar, por udhëheqësit ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se nevojitet shumë më tepër për të luftuar situatën humanitare "katastrofike"  në enklavën që mban më shumë se 2 milionë njerëz./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB