
PRISHTINË- "Disset" po mbizotërojnë skenën politike në Kosovë teksa përplasja mes kryetares së Listës "Guxo", Donika Gërvalla me presidenten Vjosa Osmani ende vazhdon... Kryediplomatja Donika Gërvalla në një fjalim të fundit që ka mbajtur në festën “Faleminderit Mërgatë”, fillimisht lavdëroi kryeministrin Albin Kurti madje dhe e quajti “super-star”, e më pas tha: Tani do të dëgjojmë këngën e presidentes Vjosa Osmani “llafe – llafe”.
Ky “diss” i Gërvallës për Osmanin erdhi në prag të takimit që e para e vendit e ka ftuar me krerët e partive politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.
Por përgjigjia nuk i mungoi edhe nga Osmani!
Në një konferencë për shtyp, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zbuluar edhe një herë mosmarrëveshjet me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Pasi u pyet nga KosovaPress për marrëdhënien që ka me Kurtin aktualisht, Osmani u shpreh se nuk kishte kohë që të listonte të gjitha dallimet që kishte me kreun e qeverisë. Por u shpreh se dallimet kryesore janë në qasjen dhe metodat e përdorura në dialog, politikën e jashtme, por edhe marrëdhëniet me aleatët.
Sipas Osmanit, synimi i saj është të mbështesë çdo veprim të institucioneve që janë në mbrojtje të kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial, por gjithmonë duke respektuar kontributin e aleatëve të sigurisë së Kosovës. Vjosa Osmani nënvizoi se Kosova mund ta mbrojë veten, sovranitetin dhe shtetësinë e saj vetëm në bashkëpunim me aleatët.
“Nuk do të komentoja raportet, por do të thoja se kemi dallime në qëndrime të cilat janë të qarta dhe publike, nuk është në interesin e qytetarëve dhe as të Kosovës që të mos thuhen publikisht, por për detaje ndoshta njëherë tjetër. Në qoftë se doni pak me këngë të Dafinës me vazhdu, e ka një të re tash, para një muaji: ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve’, ‘me kast, me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe këngë tjera Dafina,"-tha Osmani në fjalën e saj.
VIDEOJA E DISSEVE:
Përplasjet e Donika Gërvallës me Vjosa Osmanin janë shfaqur publikisht kur e para vendit ndodhej në vizitë zyrtare në ShBA derisa Gërvalla dërgoi letër në Këshill të Evropës duke u zotuar vetëm 24 orë para vendimit të tyre se do ta zbatojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa u konsultuar fare me presidenten Osmani por vetëm me kryeministrin Kurti. Më media, Gërvalla u shpreh se e kishte kuptuar që Osmani kishte qëndrim tjetër, ndaj edhe nuk kishte koordinim paraprak me Zyrën e Presidentes për “shkaqe objektive”. Që prej asaj kohe..."disset" vazhdojnë./ZËRI