
RUSI- Përfaqësuesi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë sot pretendimet e presidentit francez Emmanuel Macron se Rusia ka “shënjestruar” organizimin e Lojërave Olimpike në Paris, duke i cilësuar ato si krejtësisht të pabaza. Dmitri Peskov mohoi gjithashtu një pretendim të ministrit çek të Transportit Martin Kupka, i cili tha për "Financial Times" se Rusia po përpiqej të sabotonte rrjetet hekurudhore të BE-së përmes një fushate hakerimi në shkallë të gjerë.
“Këto janë akuza krejtësisht të pabaza si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë. Ato shpesh dëgjohen, por asnjëherë nuk mbështeten me prova apo argumentime të mjaftueshme. Ne absolutisht nuk pranojmë akuza të tilla”, tha Peskov.
Dje, presidenti francez theksoi se “Rusia promovon çdo ditë se ne nuk mund të bëjmë këtë apo atë, kështu që do të ishte një rrezik. Dhe për këtë arsye ne duhet të qëndrojmë. Forca, vetëbesimi, marrëdhënia me të vërtetën, është forca e demokracive dhe e kombeve të mëdha”./ZËRI