
SHBA- Rezultatet e para të analizës toksikologjike treguan se për cilat substanca rezultoi "negativ" aktori Matthew Perry, i cili vdiq më 28 tetor në Los Angeles, në moshën 54-vjeçare. Sipas testeve fillestare, vdekja e Matthew Perry nuk ishte rezultat i një mbidoze të fentanilit ose metamfetaminës. Analiza zbuloi se aktori nuk kishte met ose fentanyl (një opioid i fuqishëm) në sistemin e tij. Teste të mëtejshme po kryhen si pjesë e një analize toksikologjike për të përcaktuar nëse në gjakun e tij kishte ndonjë drogë tjetër të paligjshme ose nëse kishte doza të dëmshme barnash me recetë.
Fakti që testimi fillestar nuk tregoi mbidozë të metamfetaminës ose fentanilit, vrasësi kryesor në epideminë e opioideve në Amerikë, është në përputhje me atë që njerëzit e afërt të aktorit thanë se ai ishte i matur dhe i lumtur. Fillimisht u parashikua se rezultatet finale do të prisnin të paktën gjashtë javë, ndërsa tani përmendet një periudhë prej katër deri në gjashtë muaj para se të shpallet shkaku zyrtar i vdekjes së aktorit.
Të gjitha medikamentet e gjetura në shtëpinë e Matthew Perry-t atë ditë fatale, i janë përshkruar aktorit për sëmundje të ndryshme, nga depresioni deri te ankthi dhe janë gjetur në paketimin e duhur. Nëse testet toksikologjike tregojnë ndonjë gjë të dyshimtë, Divizioni i Vrasjeve dhe Grabitjeve të Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit, i cili po trajton rastin, do të vazhdojë hetimet. Gjithçka për momentin tregon se Matthew Perry është mbytur në xhakuzi, për shkak të arrestit kardiak. Aktori i njohur u shfaq 24 orë para tragjedisë në një hotel në Beverly Hills, dukej në humor të mirë, një ditë më vonë u gjet i vdekur në një xhakuzi në pronën e tij./Zëri.ai