Bota

Reuters zbulon kushtet e Putin për armëpushim me Ukrainën

Sipas Reuters, Putin këmbëngul që Ukraina të braktisë aspiratat për t'ju bashkuar NATO-s.

k.m.
Reuters zbulon kushtet e Putin për armëpushim me Ukrainën
Vladimir Putin dhe Donald Trump

SHBA- Vladimir Putin duket i hapur për negociata me Donald Trump në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për një armëpushim në Ukrainë. Më shumë detaje për kërkesën e Putin ka dhënë Reuters. Sipas tyre, Putin përjashton çdo kompromis për territorin që kanë fituar deri më tani dhe këmbëngul se Ukraina duhet të heqë dorë nga aspiratat e saj për t'u bashkuar me NATO-n.

Në raportin e parë të detajuar mbi atë që Putini mund të pranojë në një marrëveshje me Trump, Reuters raporton se pesë zyrtarë aktualë thanë se Kremlini mund të binte dakord për një ngrirje të armiqësive në vijën e frontit. Duket se Kremlini kërkon që Kievi të kufizojë 'madhësinë' e forcave të armatosura ukrainase, por edhe angazhohet që në Ukrainë të mos kufizohet në përdorimin e gjuhës ruse.

Pak ditë më parë, Vladimir Putin kishte deklaruar se çdo marrëveshje armëpushimi duhet të pasqyrojë "realitetin" në terren, duke shtuar se ai kishte frikë nga një armëpushim jetëshkurtër që do t'i lejonte Perëndimit të riarmatoste Ukrainën. Megjithatë, në të njëjtën kohë, dy nga burimet e Reuters theksojnë se vendimi i Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketat amerikane ATACMS për sulme thellë brenda Rusisë mund të ndërlikojë dhe vonojë çdo zgjidhje dhe të shtojë kërkesat e Moskës. Nëse nuk arrihet një armëpushim, thanë të dy burimet, atëherë Rusia do të vazhdojë të luftojë.

Reuters foli gjithashtu me drejtorin e komunikimit të Trump, Stephen Chang, i cili tha se presidenti i ri amerikan "është i vetmi person që mund të bashkojë të dyja palët për të negociuar paqen dhe për të punuar për t'i dhënë fund luftës dhe për t'i dhënë fund vrasjeve".

Për çfarë mund të bihet dakord?

Të pyetur se çfarë mund të sjellë një marrëveshje armëpushimi, dy nga burimet ruse iu referuan një projekt-marrëveshjeje që u miratua pothuajse në prill 2022 pas bisedimeve në Stamboll dhe të cilës Putini i është referuar publikisht si një bazë e mundshme për një marrëveshje.

Sipas këtij plani, një kopje e të cilit është parë nga Reuters, Ukraina do të duhej të pajtohej me neutralitetin e përhershëm në këmbim të garancisë ndërkombëtare nga Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB