
KOSOVË- Gruaja, e cila mbeti e lënduar pas rrëzimit të çatisë së Kadastrës në komunën e Prishtinës ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të dëmtimeve të marra. Ndërkohë gjatë kësaj të hëne Prokuroria Themelore e Prishtinës bëri me dije se ka arrestuar dy persona, njëri zyrtar i komunës, ndërsa tjetri është përgjegjësi i kompanisë që kishte marrë përsipër punimet.
“Sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i kompanisë punuese për vendpunishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”, u tha në njoftim.
Vetë Komuna e Prishtinës, më herët u shpreh se ka angazhuar ekspertë, të cilët kishin konstatuar se ka pasur shkelje gjatë punimeve, shkelje që sollën dhe ngjarjen.
“Është vërejtur se nuk është ekzekutuar asnjë ankerim i brinakeve, por ato vetëm janë mbështetur mbi murin e jashtëm. Kjo është arsyeja kryesore pse erërat e forta disa herë e kanë dëmtuar këtë kulm. Konstruksioni isekondar apo brinaket, përpos që nuk janë ankeruar me fileta metalike për murin perimetrik [traun nga betoni i armuar] ato në shumicën dërmuese të rasteve janë kapur me gozhda dhe jo fileta apo profile adekuate metalike sipas normave”, u tha në raportin e ekspertëve.
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 18 janar. Për shkak të erës së fortë, çatia u rrëzua duke rrezikuar jetën e qytetares, e cila ndodhet në gjendje kritike. Vijojnë hetimet në lidhje me ngjarjen./ZËRI