
JAPONI - Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues i Vitit të Ri në Japoni është rritur në më shumë se 160, thonë autoritetet. Përpjekjet po vazhdojnë për të gjetur më shumë se 100 persona, që ende rezultojnë të zhdukur.
Por moti i keq po pengon ekipet e shpëtimit - teksa shiu dhe bora e dendur po shkaktojnë paralajmërime për rrëshqitje dheu dhe shembje ndërtesash. Tërmeti me magnitudë 7.6 ballë Righter goditi gadishullin e largët të Notos - duke rrëzuar ndërtesa dhe duke shkaktuar një zjarr të madh.
Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në qytetet e goditura rëndë, Uajima dhe Suzu. Ndërkohë, numri i personave të zhdukur ka rënë nga 195 në pak më shumë se 100. Numri i të vdekurve është rritur nga 120, që u raportuan të dielën. Më shumë se 2,000 njerëz thuhet se janë ende pa komunikim, për shkak të dëmtimeve masive në rrugë. Disa të tjerë jetojnë në strehimore emergjente.
Ushtria japoneze ka shpërndarë furnizime, përfshirë ushqime, ujë dhe batanije për ata që u është dashur të ikin nga shtëpitë e tyre. Ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë të dielën se kishte dërguar rreth 6,000 trupa për të ndihmuar me misionin e ndihmës. Ata shtuan se besojnë se ka ende njerëz të gjallë që kanë nevojë për shpëtim dhe u zotuan të vazhdojnë operacionet e tyre për shpëtimin e jetës. Nuk kanë munguar edhe mrekullitë në këtë tragjedi. Një grua rreth të 90-ave u gjet e gjallë nën rrënoja pas pesë ditësh në Suzu.
Banorëve në zonat më të prekura po u kërkohet të mbajnë vigjilentë, pasi vazhdojnë të përjetojnë tërmete të mëtejshme. Që nga fillimi i së hënës me orën lokale, më shumë se 1200 lëkundje u regjistruan që nga dita e Vitit të Ri, raporton transmetuesi publik japonez NHK.
Japonia është një nga vendet më aktive sizmike në botë dhe aktiviteti është rritur rreth Notos, që nga fundi i vitit 2020. Më shumë se 500 tërmete të vogla dhe të mesme kanë goditur vendin atje gjatë tre viteve të fundit./BBC-ZËRI/