
SHBA- Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme të ashpra në Siri dhe Irak, ku synojnë që të godasin milicitë e lidhura me Iranin. Hakmarrja u parlajmërua nga presidenti Joe Biden, pas vrasjes së tre ushtarëve amerikanë në kufirin midis Jordanisë dhe Sirisë. Bastisjet kishin në shënjestër 85 objektiva dhe në total u hodhën 125 bomba me eksploziv të lartë. Një numër paraprak, flet për 18 militantë pro-iranianë të vrarë në Siri. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se “nuk dëshiron luftë me Iranin” dhe se nuk do të sulmojë Teheranin. Superbombarduesit B-1b që u larguan nga SHBA u përdorën gjithashtu në bastisje.
85 objektiva iranianë goditen në Irak dhe Siri
Shtetet e Bashkuara konfirmuan se sulmet ndodhën natën e 2-3 shkurtit. "Forcat e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara kryen sulme ajrore në Irak kundër grupeve të milicive të lidhura me Iranin. Forcat e ushtrisë amerikane goditën më shumë se 85 objektiva, me avionë të shumtë, duke përfshirë bombardues me rreze të gjatë fluturimi nga SHBA. Sulmet ajrore përdorën më shumë se 125 municione precize. Objektet e goditura përfshinin operacione komandimi dhe kontrolli, qendra të inteligjencës, raketa dhe depo të mjeteve ajrore pa pilot dhe zinxhirin e furnizimit me municione dhe objektet logjistike të grupeve të milicisë dhe sponsorëve të tyre, që kanë lehtësuar sulmet kundër forcave të SHBA-së dhe koalicionit”, thuhet në deklaratën zyrtare të Forcave të Armatosura të SHBA.
Confirmed footage of today's US airstrikes in the Middle East
— THE SQUADRON (@THE_SQUADR0N) February 2, 2024
The strikes targeted sites from which missiles and drones had previously been launched at US bases in the region, Al Jazeera reported, citing a source in the Islamic Resistance of Iraq
The US used B1 bombers, which… pic.twitter.com/Wuvw9C48Ag
Biden: "Sot u kthyen trupat e ushtarëve tanë dhe ne sulmuam"
Presidenti Joe Biden bëri një deklaratë në fund të bastisjeve. “Të dielën e kaluar, tre ushtarë amerikanë u vranë në Jordani nga një dron i lëshuar nga grupet militante të mbështetur nga Garda Revolucionare Islamike iraniane”, tha Biden. “Sot isha dëshmitar i kthimit dinjitoz të këtyre amerikanëve të guximshëm në bazën e Forcave Ajrore Dover dhe fola me secilën prej familjeve të tyre.” “Këtë pasdite, me kërkesën time, forcat ushtarake amerikane goditën objektivat në objektet në Irak dhe Siri që IRGC dhe milicitë e lidhura përdorin për të sulmuar forcat amerikane,” tha Biden
Biden tha se ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk "kërkojnë konflikt" në Lindjen e Mesme, do të përgjigjen nëse preket "një amerikan". "Përgjigja jonë filloi sot. Ajo do të vazhdojë në kohë dhe vende që zgjedhim," tha ai. "Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt në Lindjen e Mesme apo kudo tjetër në botë," tha Biden. “Por të gjithë ata që mund të kërkojnë të na dëmtojnë e dinë këtë: nëse dëmtoni një amerikan, ne do të përgjigjemi.”
Shtëpia e Bardhë theksoi se Shtetet e Bashkuara "nuk po kërkojnë luftë me Iranin", duke thënë se sulmet hakmarrëse të kryera në Siri dhe Irak ishin krijuar për të "lehtësuar" tensionet dhe "përfunduar" sulmet kundër Iranit. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se sulmet kishin për qëllim "të dërgonin një sinjal" për ata që "kërkojnë të dëmtojnë amerikanët". “Ne nuk po kërkojmë konflikt me Iranin”, tha Kirby. "Këto objektiva u zgjodhën për të degraduar dhe shkatërruar aftësitë e IRGC-së dhe grupeve që ata sponsorizojnë dhe mbështesin." Kirby tha se "qëllimi" i sulmeve ishte "ndalimi i këtyre sulmeve" kundër anëtarëve të shërbimit amerikan në rajon./ZËRI