
SERBI- Një protestë e organizuar nga komuniteti shqiptar në SHBA, përballë selisë së OKB-së e cila pritet që të mbahet gjatë ditës së sotme, ka alarmuar mediat serbe. Sipas tyre ky është një provokim i hapur që po i bëhet Serbisë, në ditën kur në OKB do të lexohet raporti mbi zhvillimet e 6 muajve të fundit në Kosovë.
“Në rrjetet sociale prej ditësh po vazhdon një fushatë e organizuar, në të cilën krahas mesazheve të shumta të urrejtjes ndaj Serbisë dhe lidershipit serb, ftohen të mblidhen edhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar, kryesisht në Nju Jork por edhe në mbarë Amerikë, përballë ndërtesës së OKB-së.
Në mesazhet që qarkullojnë, urrejtja dhe ofendimet të shumta, të shprehura veçanërisht ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke pasur parasysh se organizatorët, me sa duket, në momentin kur ishte projektuar ftesa për tubim, menduan se ishte Vuçiçi ai që do ta përfaqësonte Serbinë. Megjithatë, u vendos që kryeministrja Ana Brnabiç të kryesonte delegacionin tonë , gjë që, natyrisht, nuk e ndryshoi narrativën e urrejtjes”, shkruajnë mediat serbe.

Ndërkohë që nga Kosova në seancën e sotme që mbahet në OKB do të jetë e pranishme presidentja Vjosa Osmani. Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator, njofton Presidenca.
Ndër të tjera, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.
Para takimit të Këshillit të Sigurimit, presidentja pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë. Raporti përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.
Që nga miratimi i Rezolutës 1244 në qershor 1999, Këshilli i Sigurimit ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018. Në vitin 2019 për Kosovën janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa nga viti 2020, mbahen dy seanca në vit.