Bota

Protestat masive në Serbi, bordi i Universitetit të Beogradit refuzon dialogun me Vuçiç

Sipas bordit thirrja për dialog vjen në një kohë kur janë tejkaluar të gjitha normat morale dhe ligjore.

F.I
Protestat masive në Serbi, bordi i Universitetit të Beogradit refuzon
FOTO ILUSTRUESE

SERBI- Bordi i Rektorit i Universitetit të Beogradit ka refuzuar ftesën për dialog të dërguar nga presidenti Aleksandër Vuçiç. Sipas bordit thirrja për dialog vjen në një kohë kur janë tejkaluar të gjitha normat morale dhe ligjore. Universiteti i Beogradit insiston në përmbushjen e kërkesave të studentëve nga institucionet kompetente dhe rikujton se dialogu duhet të zhvillohet në një atmosferë të respektit të ndërsjellë ndërmjet të gjitha palëve relevante, me besim në institucionet dhe në kuadër të kompetencave individuale.

"Një sërë mospërputhjesh në deklaratat publike të përfaqësuesve të organeve shtetërore nuk na bindin se një dialog që çon në përmbushjen e kërkesave të studentëve është i mundshëm dhe as efektiv nëse organizohet mes dy palëve që nuk kanë mandat për të diskutuar kërkesat dhe të cilëve as kërkesat nuk iu drejtoheshin. Thirrja për dialog vjen në një kohë kur janë tejkaluar të gjitha normat morale dhe ligjore, në një atmosferë mosbesimi të përgjithshëm. Si përfaqësues të Universitetit dhe qytetarë akademikë, jemi të dekurajuar edhe më tej që dialogu i propozuar është i mundur për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj komunitetit akademik në hapësirën mediatike, dhe sulmeve më brutale, të papranueshme, fizike në hapësirën publike. Universiteti i Beogradit është i gatshëm t'u ofrojë studentëve mbështetje eksperte për të përcaktuar nëse janë përmbushur kërkesat, për të harmonizuar aktivitetet e mëtutjeshme në vendosjen e dialogut social me vendimet e plenumeve studentore dhe në këtë mënyrë të ruajë unitetin e Universitetit. Ne besojmë se dialogu është një mjet kyç në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe Universiteti i Beogradit, si përfaqësues i komunitetit akademik, një aktor i rëndësishëm shoqëror dhe një bashkëbisedues i respektuar, është në dispozicion të publikut dhe institucioneve për çdo temë me rëndësi shoqërore, në kuadër të kompetencës dhe ekspertizës së tij. Ju falenderojmë për ftesën dhe sigurojmë presidentin dhe publikun se për sa kohë që punojmë në përputhje me detyrat e caktuara dhe brenda kuadrit të autoritetit dhe kompetencave tona, ne punojmë në të mirë të komunitetit universitar, studentëve dhe shoqërisë si një e tërë. Në këtë frymë, ne mbetemi të hapur për diskutime, me përgjegjësi të plotë akademike dhe personale",-thuhet në deklaratë.

Kërkesat e studentëve:

1-Publikimi i dokumentacionit të plotë në lidhje me rindërtimin e  stacionit hekurudhor të Novi Sadit , i cili aktualisht nuk është i disponueshëm për publikun.
2-Kërkesë nga organet kompetente për konfirmimin e identitetit të të gjithë personave për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë sulmuar fizikisht studentët dhe profesorët, si dhe fillimin e procedimit penal ndaj tyre. Gjithashtu kërkojmë shkarkimin e personave të lartpërmendur nëse vërtetohet se janë zyrtarë publikë.
3-Rrëzimin e kallëzimeve penale ndaj studentëve të arrestuar dhe ndaluar gjatë protestave, si dhe pezullimin e procedimit penal të nisur tashmë.
4-Rritja e fondeve buxhetore për fakultetet shtetërore me 20%, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës, studimit dhe cilësisë së arsimit në universitete.

Para tre muajsh në qytetin e Novi Sad tavani i një stacioni hekurudhor u shemb, ku si pasojë humbën jetën 15 persona. Pas kësaj tragjedie, për tre muaj protestat nuk kanë ndalur në Beograd, pasi qytetarët akuzojnë qeverinë se qëndron pas kësaj, për shkak të korrupsionit që ka “pushtuar” vendin. Studentët në Serbi vazhdojnë me protestast e tyre dhe me bllokimin e rrugëve kryesore. Deri tani nga protestat është tërhequr kryeministri Milosh Vuçeviç, por as kjo lëvizje nuk i ka kënaqur protestuesit. Universitetet e vendit janë bllokuar, deri sa të pranohen kërkesat e tyre./ZËRI 

Poll

MOS HUMB