Bota

PROFIL- 7 nga 10 amerikanë NUK E NJOHIN! Kush është Tim Walz kandidati i Kamala Harris për zëvendëspresident

71% e të rriturve amerikanë nuk kanë dëgjuar kurrë për Walz ose nuk janë të sigurt se si ta vlerësojnë atë – duke e bërë atë edhe më pak të njohur se finalistët e tjerë Mark Kelly dhe Josh Shapiro.

I.F
PROFIL- 7 nga 10 amerikanë NUK E NJOHIN! Kush është Tim Walz
Tim Walz

UASHINGTON- Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, ka zgjedhur guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, si kandidatin e saj për zëvendëspresident nëse fiton zgjedhjet. Pasi Walz u përzgjodh ai mbajti një fjalim para mbështetësve të tij demokratë. Ai tha se i është mirënjohës Harris, për përzgjedhjen dhe se do të bëj çdo gjë për vendin e tij.

“Është nderi i jetës sime të përfshihem me Kamala Harris në këtë fushatë. Ne jemi këtu së bashku për më të mirën e vendit tonë. Harris na tregon me politikën e saj se çdo gjë është e mundur të realizohet për të mirën e qytetarëve. Kjo më kujton ditën e parë të shkollës, ku kisha vizione për të ardhmen. Le t’i bëjmë ato vizione realitet,"- tha ai.

Sipas Reuters, përzgjedhja e Walz do ta ndihmojë atë të tërheqë vota nga grupi i votuesve të bardhë ruralë amerikanë.

Paraqitja e parë e dyshes demokrate u bë në Filadelfia të Pensilvanisë, një shtet që konsiderohet si një nga më kritikët për rezultatin e zgjedhjeve.

"Kimia" e saj me Tim Walz ishte një faktor në përzgjedhjen e tij nga Harris, tha për mediat e huaja një burim i afërt me guvernatorin e Minesotës për CNN.

“Koha që ata kaluan së bashku kur Walz po bënte fushatë për rizgjedhje në 2022 dhe kur ata vizituan klinikën e abortit në mars të këtij viti padyshim pati një ndikim të madh. Pastaj, në krye të kësaj, fushata e Harris, si të gjithë ne, pa se sa ndikues ishte Walz tek demokratët. Ata panë se sa popullor është ai në Minesota. Pra, ishte një lloj situate ku çdo gjë ishte në vendin e duhur”, tha burimi.

Një ushtarak veteran me një axhendë progresive

PROFIL- 7 nga 10 amerikanë NUK E NJOHIN! Kush është Tim Walz
Tim Walz në Filadelfia

Walz, një veteran 60-vjeçar i Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane dhe ish-mësues, u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA në vitin 2006. Ai shërbeu aty 12 vjet përpara se të zgjidhej guvernator i Minesotës në 2018.

Si guvernator, ai nxiti një axhendë progresive që përfshin dreka falas në shkollë, projekte për të adresuar ndryshimet klimatike, ulje të taksave për klasën e mesme dhe rriti pushimet e paguara për punëtorët e Minesotës. Ai është një mbrojtës i vendosur i të drejtave riprodhuese të grave, por shfaqi reflekse konservatore ndërsa përfaqësonte shtetin e tij rural në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA.

Ai është gjithashtu një mbështetës i të drejtave të armëve.

Harris, vajza e emigrantëve nga Xhamajka dhe India, plotëson kështu fushatën e saj. Minesota konsiderohet një shtet "blu" (voton vazhdimisht Demokratët), por kufizohet me Wisconsin dhe Michigan, dy shtete vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve. Zgjedhja e Walz u ndikua nga fakti se ai ka aftësinë për të arritur tek votuesit e bardhë nga zonat rurale, të cilët vitet e fundit i janë drejtuar Donald Trump.

Stafi i Harris shpreson që karriera e gjatë e Walz-it në Gardën Kombëtare, e kombinuar me një karrierë të suksesshme si trajner futbolli në shkollë të mesme, si dhe videot e tij të postuara me humor, do të tërheqë atë pjesë të votuesve që nuk duan një mandat të dytë të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Reagimi i republikanëve

PROFIL- 7 nga 10 amerikanë NUK E NJOHIN! Kush është Tim Walz
Tim Walz

Donald Trump, në postimin e tij, sulmon Walz-in, duke thënë se nëse zgjidhet nënkryetar, ai do të sjell ferrin në Tokë: Tim Walz DO TË ISHTE ZËVENDËPRESIDENTI MË I KEQI NË HISTORI! Edhe më keq se Kamala Harris, liberale dhe e korruptuar e rrezikshme - AJO ËSHTË KAQ E KEQE. Ajo do të çlirojë FERRIN NË TOKË dhe do të hapë kufijtë tanë për kriminelët më të këqinj që mund të imagjinohet. Ai do të vulosë MASHTRIMIN E RI të Gjelbër (projekti i Kamala Harris për ndotjen golbale) të Kamalës dhe do t'i vërë flakën TRE miliardë dollarëve taksa nga qytetarët tanë.

Reagimet fillestare të republikanëve ndaj përzgjedhjes së Walz u përqendruan në të qenit "shumë progresiv". Ai gjithashtu u sulmua për trazirat në Minneapolis pas vrasjes së George Floyd në 2020. Një deklaratë nga Carolyn Levitt, një zëdhënëse e fushatës së Trump tha: Walz është i fiksuar pas promovimit të agjendës së rrezikshme liberale të Kalifornisë. Ai është një ekstremist i rrezikshëm liberal dhe ëndrra e Kalifornisë Harris-Walz janë makthi i amerikanëve.

Sipas NYT, fushata e Trump u dërgoi një e-mail mbështetësve të kandidatit republikan me mesazhin: "Tim Walz do të sjellë ferrin në tokë".

"Miku i Izraelit"

PROFIL- 7 nga 10 amerikanë NUK E NJOHIN! Kush është Tim Walz
Tim Walz një mbështetës i Izraelit

Grupi Mazhoranca Demokratike për Izraelin lëshoi ​​një deklaratë duke lavdëruar Walz, duke e quajtur atë një "demokrat pro-izraelit me një histori të fortë mbështetjeje për marrëdhëniet SHBA-Izrael".

Shumë demokratë që mbështesin fuqishëm Izraelin kishin shprehur preferencën e tyre për guvernatorin Josh Shapiro të Pensilvanisë, i cili ka qenë një mbështetës më i fortë i luftës në Gaza. Minneapolis ka një popullsi të madhe myslimano-amerikane dhe Walz u kërkoi demokratëve të dëgjojnë shqetësimet e tyre.

Shtatë nga dhjetë amerikanë nuk e njohin Walzin

Shumica e amerikanëve nuk e njohin Tim Walz, sipas një sondazhi të NPR/PBS/Marist të publikuar të martën. 71% e të rriturve amerikanë nuk kanë dëgjuar kurrë për Walz ose nuk janë të sigurt se si ta vlerësojnë atë – duke e bërë atë edhe më pak të njohur se finalistët e tjerë Mark Kelly dhe Josh Shapiro. Sondazhi, i cili u krye nga 1-4 gusht, zbulon se 17% e të rriturve amerikanë e shohin si të favorshëm Walz-in, ndërsa 12% e shohin atë si aspak favorit.

Sondazhi i jep Walz-it një vlerësim të favorshëm prej 31 përqind mes demokratëve, ndërsa vetëm 7% demokratë e vlerësojnë atë të pafavorshëm.

Kush është gruaja e tij?

PROFIL- 7 nga 10 amerikanë NUK E NJOHIN! Kush është Tim Walz
Tim Walz dhe Gwen Walz

Përpara se të fillonte në politikë, guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i zgjedhur të martën për të qenë kandidati i zëvendëspresidentes Kamala Harris, ishte një mësues për një kohë të gjatë, ashtu si gruaja e tij. Gwen Walz ka dhënë mësim në shkolla publike, në shkolla për emigrantët, si dhe në burgje. Ajo gjithashtu shërbeu si administratore dhe koordinatore në Shkollat ​​Publike të Zonës Mankato, një distrikt shkollor në distriktin e kongresit që përfaqësonte burri i saj nga 2007 deri në 2019.

Ngjarja e saj e parë publike si zonja e parë e Minesotës ishte një tubim në mbështetje të rivendosjes së të drejtave të votës për kriminelët. Ajo ka vizituar gjithashtu burgjet shtetërore dhe ka ndihmuar në rekrutimin e një ndihmës komisioneri që punon për të instaluar një kurrikulë të re kolegji në burgje. Walz u takua me bashkëshortin e saj në Nebraskën perëndimore, ku ajo filloi karrierën e saj duke mësuar anglisht. Ata u martuan në vitin 1994, pak më vonë, dy themeluan Educational Travel Adventures, Inc., e cila organizonte udhëtime vjetore në Kinë për studentët.

Walz dhe Kina

Zëvendëspresidenti i Kamala Harris, Tim Walz, tërhoqi menjëherë vëmendjen e Kinës pas përzgjedhjes. Përdoruesit kinezë të mediave sociale përmenden faktin se Walz ka dhënë mësim në provincën juglindore të Guangdong në 1989, kjo temë u kthye në trend në Weibo (rrjeti social i përdorur në Kinë, i kontrolluar nga qeveria) me 12 milionë shikime.

Ai dhe gruaja e tij, mësuesja Gwen Whipple, më vonë kaluan muajin e mjaltit po ashtu në Kinë.

Walz dikur e përshkroi vendimin e tij për të dhënë mësim në Kinë si "një nga gjërat më të mira që kam bërë ndonjëherë".

Ai sapo kishte mbaruar kolegjin kur u transferua në Kinë për të dhënë mësim në një shkollë të mesme historinë angleze dhe amerikane. Fakti që ndodhej në vitin 1989 - viti i masakrës së sheshit Tiananmen - nuk u shpëtoi komentuesve kinezë.

Më 4 qershor të atij viti, tanket kineze hynë në sheshin qendror të Pekinit, ku qindra mijëra ishin mbledhur duke kërkuar reforma politike. Dita përfundoi me gjakderdhje dhe sot e kësaj dite është e paqartë saktësisht se sa prej tyre vdiqën. Disa vlerësime thonë se numri i të vdekurve shkon mbi 10,000.

Përdoruesit kinezë të mediave sociale nuk mund të thonë shumë për vitin 1989 për shkak të censurës. Ata i referohen asaj me komentin “Nëse e dini, ju e dini”. Ata e vlerësojnë Walz të jetë më “kundër-Kinës” se të tjerët. E megjithatë përdoruesit shpresojnë se nëse ai fiton, ai mund të sinjalizojë lidhje më të mira SHBA-Kinë. Të dy vendet kanë qenë në mosmarrëveshje për tregtinë, teknologjinë e përparuar dhe ambiciet gjeopolitike të Kinës. Kinezët shprehen se Kina e sotme nuk është më ajo e 1989 dhe se Walz duhet të rikthej marrëdhëniet që janë shkëputur. Por ky opinion i jep përparësi republikanëve ta përdorin këtë kundër demokratëve./ZËRI/

Poll

MOS HUMB