
GAZA - Trupat e tre fëmijëve shtrihen në një tabaka çeliku brenda asaj që duket të jetë një morg spitali në Gaza, me një këmbë të pantallonave të shtyra lart, për të zbuluar shkrimin me bojë të zezë në lëkurën e tyre.
“Na janë raportuar disa raste, kur prindërit shkruanin emrat e fëmijëve të tyre në këmbë dhe në bark”, tha për CNN Dr. Abdul Rahman Al Masri, kreu i departamentit të urgjencës në Spitalin e Martirëve Al-Aksa.
Ai tha se prindërit ishin të shqetësuar se çdo gjë mund të ndodhë dhe askush nuk do të ishte në gjendje t'i identifikonte fëmijët e tyre. "Kjo do të thotë se ata mendojnë se janë në shënjestër në çdo moment dhe mund të plagosen ose vriten", shtoi Al Masri.
Emrat me bojën e zezë kanë nisur të bëhen fenomen te fëmijët në spitale, ndërsa Izraeli vazhdon ta godasë enklavën me sulme të pamëshirshme ajrore, si shenjë hakmarrjeje për sulmet e Hamasit të 7 tetorit.
Mbikëqyrësi i dhomës në Spitalin e Martirëve Al-Aksa ku lahen trupat e pajetë e përshkroi ditën e sotme, si ndër më të zezat. Një burim, që dëshiron të mbetet i paidentifikuar, i tha CNN se numri i të vdekurve sa vinte dhe rritej, ndërsa përmendi fenomenin, me emrat që shkruhen në trupat e fëmijëve.
“Ajo që vumë re sot është se shumë prindër shkruajnë emrat e fëmijëve të tyre në këmbë, në mënyrë që ata të identifikohen pas sulmeve ajrore, nëse humbasin. Shumë nga fëmijët janë të zhdukur, shumë prej tyre vijnë këtu me kockat e tyre të thyera. Ndaj është e pamundur t'i identifikosh ata, vetëm me këtë mbishkrim ata identifikohen”, tha burimi për CNN.
Gjatë dy javëve të fundit, qindra fëmijë janë nxjerrë nga rrënojat e ndërtesave të mbushura me rrënoja, pas goditjeve nga sulmet ajrore izraelite. Enklava e Gazës është një nga vendet, me dendësinë më të lartë të popullsisë në botë.
Me Izraelin që vazhdon të bombardojë dhe furnizimet thelbësore që po mbarojnë, mjekët në spitalet e Gazës janë detyruar të operojnë pa ilaçe kundër dhimbjeve. Shumë mjekë kërkojnë përpos ushqimeve dhe ujit, edhe ilaçe.
Një mjek tha se ka raste, që prindërit flenë bashkë me fëmijën e tyre, në sallë të operimit, sepse ata duan të vdesin bashkë.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më shumë se 6400 njerëz kanë vdekur, pas sulmeve me raketa nga të dyja palët./Zëri.ai/