
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u largua nga samiti i G7-ës këtë javë se sa ishte planifikuar, sepse u zemërua nga presidenti francez Emmanuel Macron. E gjitha sepse ky i fundit nuk ishte i interesuar për një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Të paktën kështu pretendon "Financial Times".
“Njerëz të njohur me diskutimet thanë se vendimi i tij për t’u larguar ishte rezultat i bezdisjes nga Emmanuel Macron, i cili vizitoi Groenlandën dhe kundërshtoi planet e Trump për të marrë kontrollin e ishullit. Por ndikoi edhe mungesa e interesit të presidentit amerikan për t’u takuar me udhëheqësin ukrainas,”- shkruan Financial Times.
Trump e kritikoi ashpër Macronin
Pasi Trump u largua nga samiti, Macron tha se presidenti amerikan ishte larguar për të punuar për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit.
Megjithatë, reagimi i Trump erdhi shpejt.
“Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kërkonte shumë publicitet, gabimisht tha se unë u largova nga samiti i G7 në Kanada për t’u kthyer në Uashington dhe për të punuar për një ‘armëpushim’ midis Izraelit dhe Iranit. Gabim! Nuk e di pse jam duke shkuar në Uashington tani, por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me armëpushimin. Është shumë më e madhe se kaq. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanueli gjithmonë gabon,”- shkroi Trump.
As Macron nuk kurseu.
Emmanuel Macron kritikoi të hënën dëshirën e Donald Trump për të aneksuar Groenlandën, madje dhe vizitoi ishullin. Ai mbërriti në Nuuk rreth orës 11:20 të paradites dhe dhjetëra banorë e pritën duke valëvitur flamuj të Groenlandës.
“Erdha këtu për të shprehur solidaritetin e Francës dhe të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij territori dhe për të diskutuar sfidat që na presin, përkatësisht rritjen ekonomike, krizën klimatike dhe arsimin,”- tha Macron në prani të kryeministres daneze Metta Frederiksen dhe kryeministrit të Groenlandës Jens-Frederik Nielsen. Ai u tha gazetarëve se nuk pajtohet me dëshirën e Donald Trump për të aneksuar territorin autonom, duke theksuar se "kjo nuk bëhet midis aleatëve".
Mirëseardhja ndaj presidentit francez është në kontrast të plotë me pritjen që iu bë zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance më 28 mars, i cili u detyrua të kufizohej në një vizitë në bazën ushtarake amerikane në Pitufic, pasi u përball me protesta.
Popullsia e Groenlandës prej 57,000 banorësh, kryesisht inuitë, hedh poshtë çdo mundësi për t'u bërë pjesë e Amerikës, dhe Danimarka këmbëngul se Groenlanda "nuk është në shitje"./ZËRI