Bota

Po ndodh! Irani nis mbi 50 drone në Izrael, Netanyahu: Jemi të përgatitur për në sulm

Sipas raporteve nga zyrtarët amerikanë dhe izraelitë, Teherani ka nisur dhjetëra sulme me të paktën 50 dronë që pritet të arrijnë në Izrael brenda disa orësh. 

k.m.
Po ndodh! Irani nis mbi 50 drone në Izrael, Netanyahu: Jemi të
Foto ilustruese

TEHERAN- Daullet e luftës kanë nisur që të bien në Lindjen e Mesme, pasi Irani ka nisur sulmin ndaj Izraelit. Sipas raporteve nga zyrtarët amerikanë dhe izraelitë, Teherani ka nisur dhjetëra sulme me të paktën 50 dronë që pritet të arrijnë në Izrael brenda disa orësh. Për shkak të klimës së tensionuar mes dy vendeve, Izraeli është në proces të mbylljes së hapësirës ajrore, gjë që e kanë bërë edhe Jordania. Edhe pse vetë kanë sulmuar, edhe Irani e ka mbyllur gjithashtu hapësirën e tij ajrore. Në orët e fundit klima e tensionit është rritur në mënyrë të rrezikshme në Lindjen e Mesme, e cila është reflektuar në stafin e qeverisë amerikane. E gjitha ka nisur pas kapjes së anijes izraelite nga Garda Revolucionare.

Menjëherë pas dhënies së lajmit, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte i përgatitur për një "sulm të drejtpërdrejtë nga Irani" pas kërcënimeve për hakmarrje.

"Sistemet tona të mbrojtjes janë të vendosura, ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm,"-tha ai në një deklaratë televizive, duke shtuar se Izraeli kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe "shumë" vendeve të tjera.

Zyrtari i lartë i sigurisë kombëtare i Joe Biden ka folur me homologun e tij izraelit ndërsa kërcënimi i një sulmi iranian vazhdon. Jake Sullivan tha se ai foli me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Izraelit, Tzachi Hanegbi për të diskutuar ngjarjet në Lindjen e Mesme. Ndërkohë në një deklaratë televizive, kundëradmirali Daniel Hagari, ashtu si Netanyahu, bëri me dije se Izraeli është "mirë i përgatitur" për sulmin.

"Ne jemi përgatitur për skenarë të ndryshëm paraprakisht. Ne do të përpiqemi t'i pengojmë dronet që të arrijnë territorin izraelit, kjo është detyra jonë,"-tha ai.

Po ashtu, siç është bërë e ditur nga mediat ndërkombëtare, duke cituar informacionet e fundit nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden ndërpreu udhëtimin e tij këtë fundjavë për t'u takuar me ekipin e tij të sigurisë. Biden po kthehet në Uashington nga Delaware ku ishte. Sipas Shtëpisë së Bardhë, lideri amerikan do të ketë bisedime intensive me zyrtarët e tjerë për zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Disa ditë më parë, presidenti i SHBA Joe Biden, në një përpjekje për të paralajmëruar Teheranin për pasojat nëse do të niste sulmin, lëshoi një mesazh dramatik: Mos e sulmoni Izraelin. Mos e bëni! Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë Izraelin. Ne do ta mbështesim Izraelin dhe do të ndihmojmë në mbrojtjen e tij dhe Irani nuk do të ketë sukses. I pyetur se sa i menjëhershëm mund të jetë një sulm hakmarrës iranian kundër Izraelit, ai tha se nuk donte të hynte në informacione të klasifikuara, por besonte se do të ndodhte herët a vonë.

Kërcënimi i Iranit po rrit më tej tensionet në Lindjen e Mesme. Në të njëjtën kohë, në një klimë të tillë tensionesh të shtuara dhe nën frikën e sulmeve të kërcënuara, vende si SHBA, Britania e Madhe, India, Australia, paralajmëruan qytetarët e tyre që të mos udhëtojnë në Izrael dhe Iran./ZËRI

Poll

MOS HUMB