
BRUKSEL-Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila u shtrua në spital për gati një javë me pneumoni të rëndë, “tani është kthyer në shtëpi”. Ajo ndodhet në shtëpi në Hanover të Gjermanisë, ka bërë të ditur sot përfaqësuesja e Komisionit, Paola Pino.
Ursula von der Leyen nuk do të jetë në gjendje të kryesojë Dhomën e Komisionerëve këtë javë dhe i ka kërkuar Zëvendës Presidentes Ekzekutive Teresa Ribeira ta zëvendësojë. Kryetarja e Komisionit pritet që në fillim të javës së ardhshme t'i marrë plotësisht detyrat e saj.
Komisioni Evropian kishte njoftuar më 3 janar anulimin e udhëtimeve të Ursula von der Leyen për 15 ditë për shkak të “pneumonisë së rëndë”. 66-vjeçarja ka qenë në krye të Komisionit Evropian, që nga 1 dhjetori 2019./ZËRI