
BRITANI E MADHE- Shkencëtarët britanikë kanë zbuluar një sinjal që mund të ndihmojë në zgjidhjen e misterit të fluturimit "MH370" të Malaysia Airlines. Studiuesit e Cardiff analizuan të dhënat nga hidrofonët, të cilët kapën një sinjal prej gjashtë sekondash të regjistruar rreth kohës që avioni besohet se u rrëzua në Oqeanin Indian pasi kishte mbetur pa karburant.
Kështu, duke marrë parasysh sinjalin e fundit, sugjeruan testimin për të përcaktuar vendndodhjen e saktë të avionit të zhdukur.
Avioni "Boeing 777" i Malaysia Airlines u zhduk më shumë se 10 vjet më parë, më 8 mars 2014, me 239 persona në bord. Kërkimi për avionin e zhdukur vazhdon prej vitesh, por përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë fryte dhe zhdukja e avionit mbetet një nga misteret më të mëdha të botës së aviacionit.
Boeing 777 peshon 200 ton dhe ndoshta është përplasur në oqean me një shpejtësi prej 200 metrash në sekondë, ndaj energjia kinetike e çliruar nga një goditje e tillë është e barabartë me një tërmet të vogël, i cili do të mjaftonte për t'u regjistruar nga hidrofonët mijëra milje larg. Ekzistojnë dy stacione hidroakustike që mund të zbulojnë një sinjal të tillë. Njëra është në Cape Levin në Australinë Perëndimore dhe tjetra është në territorin britanik të Diego Garcia në Oqeanin Indian.
Stacionet hidroakustike kanë zbuluar edhe më parë sinjale karakteristike të presionit nga përplasjet e avionëve, si dhe tërmetet e madhësive të ndryshme në distanca më të mëdha se 3000 milje.
Britania ka luajtur tashmë një rol kyç në përcaktimin e zonës së kërkimit.
Dy javë pas zhdukjes së avionit, Inmarsat, një kompani britanike e telekomunikacionit satelitor, zbuloi se njësia satelitore e avionit po u përgjigjej kërkesave çdo orë edhe pasi u zhduk nga radarët e tjerë. Gjatë tre viteve, Australia, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Malajzia eksploruan 46,000 milje të shtratit të detit në jugperëndim të Perthit.
Në 2015 dhe 2016, disa mbetura u shfaqën në bregdet dhe në disa ishuj në Oqeanin Indian, ndaj edhe sipërmarrësi privat "Ocean Infiniti" nisi një kërkim të ri në janar 2018, por pas një kërkimi 6-mujor dolën me duar bosh./ZËRI