
PRISHTINË – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë për mediat ka zbuluar detaje, sesi Serbia po përgatitet që të zhvillojë një tjetër sulm në Kosovë. Kurti shprehet se ky sulm po përgatitet sërish nga Milan Radoiçiç, ish-funksionar i lartë i Listës Serbe në veriun e Kosovës. Kurti më tej tha se organizata ‘Mbrojtja Civile’ është në krye të këtij organizimi. Kurti dha detaje edhe për sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë të Zveçanit.
“Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit, i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb u ishte komunikuar një ditë më herët pra saktësisht para tre muajve iu ishte komunikuar në mjediset e kompanisë Novipazar Put. Automjetet, armët dhe gjithë arsenali i përdorur në Banjskë ishin të përqendruara në këtë lokacion. Kjo kompani që është në listën e zezë të SHBA-ve është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviç dhe Milan Radojiçiç, ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Alekandër Gërboviç i njohur me nofkën “Gërba”. Ai ka marrë pjesë në luftrat e Kroacisë, Bosnjes dhe Kosovës dhe gjithashtu ka qenë drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet dhe kryetar i komunës së Pozhegës në vitin 2008”, tha Kurti.
Albin Kurti ka deklaruar gjithashtu se Aleksandër Vuçiç ka vizituar kompaninë, ku ndodheshin terroristët serbë para 24 shtatorit. “Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç për ta përuruar rrugën Rashkë – Novi Pazar me gjatësi 18 km. Gjatë vizitës, ai e kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe iu është referuar atij si njeriu më i shpejtë. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës për rrugën të cilën u përurua tre muaj para kohe me nxitim”, u shpreh Kurti.
Për Kurtin, Vuçiç ka thënë se ‘shqiptarët duan konflikt’ dhe se kjo deklaratë e tij, ka ardhur sepse ai vetë ka dashur konflikte. “Presidenti i Serbisë nga aty tha se e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua, të cilët sipas tij po kërkojnë arsye për konflikte e sulme ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm, sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi më 24 shtator.”, vijoi Kurti.
Albin Kurti akuzon drejtpërdrejtë Radoiçiç dhe Mbrojtjen Civile se janë duke përgatitur tjetër sulm në Kosovë. “Pas sulmit terrorist e kriminal, Milan Radojiçiç u lirua nga gjykata serbe në kohë rekord, ai tani po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në vendin tonë, bashkë me disa anëtarë të organizatës terroriste mbrojtja civile. Radojiçiç po mban takime të rregullta me zyrtarë të BIA-s, ambientet e firmës Jabllanovica në Rashkë, ngjashëm me Novipazar Put po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radojiçiç dhe grupi i tij, por në këtë ndërtesë strehohen disa nga anëtarët e Mbrojtjes Civile të cilët kryejnë vëzhgime në Kosovë.”, tha Kurti.
Ministri Xhelal Zveçla publikon detaje nga sulmi terrorist i 24 shtatorit
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla ka dhënë detaje në lidhje me sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Zveçla tregoi edhe rrugën që kanë ndjekur terroristët dhe lidhjet e tyre me shtetin serb. Numri një i Ministrisë së Brendshme të Kosovës ka treguar edhe vendin, ku ka ndërruar jetë efektivi hero i Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai ka shtuar se grupi terrorist serb ka monitoruar Policinë e Kosovës me anë të një droni. Zveçla tregoi pamje, për të demonstruar gjithçka ka ndodhur në Banjskë.









Xhelal Zveçla tha se veriu i Kosovës është sulmuar jo pak, por 114 herë që nga viti 2021. Sipas tij, kjo dëshmon se Serbia ka plane për të destabilizuar Kosovën. Po ashtu, ministri i Kosovës u shpreh se një nga të dyshuarit e sulmit terrorist ka lidhje shoqërore me djalin e Aleksandër Vuçiç. “Si institucione kemi ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë planet e Serbisë për të organizuar këtë sulm paramilitar terrorist dhe kemi ndarë informacione edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës nga viti 2021 deri më sot institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veriun e vendit tonë. Angazhimet hetimore të policisë në zbardhjen e hetimeve tregojnë se të njëjta struktura militare me shtytjen e Serbisë janë angazhuar për de-stabilizimin e vendit tonë – janë strukturat e njëjta terroriste që janë përfshirë në barrikada ku shumë prej kamionëve të barrikaduar kanë pasur eksplozivë dhe mjete tjera shpërthyese në sulmin ndaj KKZ-së dhe në sulmet ndaj pjesëtarëve tonë, në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në sulmin ndaj mediave, në djegien e veturave dhe në sulmin terrorist në Banjskë”, tha Sveçla.
Ushtarët e KFOR patrullojnë pranë Leposaviçit
Pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në lidhje me faktin se ka rrezik se Serbia mund të kryejë sulme të reja në Kosovë, misioni i KFOR në Kosovë është vënë në lëvizje. KFOR ka publikuar fotografi të ushtarëve amerikanë, duke patrulluar afër Leposaviçit. Në deklaratë, KFOR shprehet se mbetet i përkushtuar për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës. “Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale të KFOR-it në Lindje (RC-E) kryen një patrullë sigurie në afërsi të Leposaviqit. KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në #Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, shprehet KFOR.
Kosova u trondit nga një sulm kriminal në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat./ZËRI/