Bota

Paralajmërimi i Hamasit: Do përsërisim sulmet e 7 tetorit

Zyrtari i Hamasit, Ghazi Hamad tha se grupi militant do të bëjë sulme të tjera. Ai shtoi se Izraeli është shtet i ngritur mbi tokat e palestinezëve.

D.XH
Paralajmërimi i Hamasit: Do përsërisim sulmet e 7 tetorit
Ghazi Hamad

GAZA - Ghazi Hamad, një anëtar i byrosë politike të Hamasit, tha në një intervistë në një kanal televiziv libanez se grupi militant do të përsërisë sulmin e 7 tetorit “herë pas here”, derisa Izraeli të shkatërrohet.

“Izraeli është një shtet, që nuk ka vend në tokën tonë. Ne duhet ta zhdukim shtetin izraelit, sepse përbën një katastrofë sigurie, ushtarake dhe politike për kombin arab dhe islamik. Nuk kemi turp ta themi këtë”, tha Hamad në një intervistë me rrjetin televiziv LBC më 24 tetor, e cila u publikua sot.

Një video e intervistës është shpërndarë sot në X nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

Në intervistë, Hamad thotë se Izraeli duhet të zhduket, pasi është ndërtuar në tokat palestineze. “Ne duhet t'i japim një mësim Izraelit dhe do ta bëjmë këtë dy dhe tre herë. Hakmarrja për al-Aksa [emri që Hamasi i dha sulmit të saj më 7 tetor] është vetëm fillimi i sulmeve tona. Ne e dimë se mund të kemi humbje, por ne jemi komb dëshmorësh e do vazhdojmë të luftojmë”, u shpreh Hamad.

Zyrtari i Hamasit theksoi se grupi militant nuk kishte ndërmend të dëmtonte civilët, por situata u komplikua në terren. Mirëpo, pamje, ku torturohen civilë janë publikuar në rrjetet sociale.

“Ne jemi viktima të okupimit. Prandaj, askush nuk duhet të na fajësojë për gjërat që bëjmë. Më 7 tetor, 10 tetor, datë tjetër, gjithçka që bëjmë është e justifikuar”, thotë Hamad.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite u përgjigj, duke hyrë në Gaza. Më shumë se 10 mijë njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB