
SIRI- Zonja e parë siriane Asma al Assad është diagnostikuar me leuçemi. Lajmi është bërë me dije nga zyra e presidentit, pasi zonja e parë do të "tërhiqet përkohësisht" nga të gjitha angazhimet e detyrës që ajo mban për t'u trajtuar. Sipas mediave të huaja, ajo është trajtuar më parë për kancerin e gjirit dhe në gusht 2019 njoftoi se e kishte mundur sëmundjen, një vit pasi ishte diagnostifikuar.
Por tashmë është diagnostikuar me leuçemi mieloide akute, një kancer agresiv i palcës së eshtrave dhe gjakut.
Që kur Siria u zhyt në luftë në vitin 2011, al Assad ka marrë një rol publik për të udhëhequr projektet e bamirësisë dhe për të takuar familjet e ushtarëve të vrarë, por ajo është bërë gjithashtu një figurë përçarëse. 48-vjeçarja është vendosur nën sanksionet perëndimore dhe është akuzuar se ka përdorur arsimimin e saj britanik dhe stilin perëndimor për të maskuar brutalitetin e bashkëshortit të saj.
Lufta, e cila ka vrarë gati gjysmë milioni njerëz dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë së paraluftës të vendit prej 23 milionësh, filloi si protesta paqësore kundër qeverisë së Bashar al Asadit në mars 2011. Protestat u pritën me dhunë dhe revolta shpejt u shndërrua në një luftë civile.
Al Assad drejton "Siria Trust for Development", një OJQ e madhe që vepron si një organizatë ombrellë për shumë prej operacioneve të ndihmës dhe zhvillimit në Siri. Vitin e kaluar, ajo shoqëroi bashkëshortin e saj në një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në udhëtimin e saj të parë zyrtar të njohur jashtë vendit me të që nga viti 2011. Ajo ka qenë e martuar me zotin al Assad që nga viti 2000, kur la punën e saj si bankiere dhe u transferua në Siri./ZËRI