
GJILAN- Panik në ndeshjen e futbollit mes Gjilanit dhe Malishevës në Superligën e Kosovës! Sulmuesi i skuadrës së Gjilanit, Oltion Bilalli, pësoi një dëmtim të rëndë, pas përplasjes me portierin Ilir Avdyli. Teksa tentoi të godiste me kokë topin, sulmuesi u përplas me kundërshtarin e tij dhe përfundoi në tokë me probleme. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë, ndërsa lihtari u transportua me urgjencë në spital.
Drejtori i Gjilanit, Syart Rrahmani, foli për gjendjen e Bilallit, duke thënë se ka hemorragji të brendshme në kokë.
“Oltioni ka gjakderdhje të brendshme në kokë, por është jashtë rrezikut për jetën. Ai do të vëzhgohet më tej nga mjekët dhe është dërguar në QKUK. Ne jemi në Prishtinë, pranë tij”, deklaroi Rrahmani për mediat në Kosovë.
Ndeshja mes Gjilanit dhe Malishevës u mbyll pa gola./ZËRI