
KOSOVË - Kanë dalë pamjet, ku shihet sesi terroristët serbë largohen nga manastiri, pasi kanë qëlluar me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës, duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.
Kriminelët serbë dalin nga një rrugicë dhe vazhdojnë që të ngjiten për në malin aty pranë. Janë rreth 17 serbë, që arratisen nga manastiri, në përpjekje për t’i ikur policisë, pasi Policia e Kosovës po arrinte t’i neutralizonte.
Gjyqi ndaj të dyshuarve
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë për V.T, që dyshohet se mori pjesë në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës.
Seanca dëgjimore ndaj të dyshuarit është mbajtur në QKUK, pasi V.T rezulton se është plagosur nga ngjarja. V.T dyshohet për vepra të rënda penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe kryerje të veprave terroriste.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS-së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e gjykatës. Ndërsa sot do mbahet edhe seanca dëgjimore për dy të dyshuar të tjerë.
Terroristët mund të dënohen deri me burg përjetë
Avokati Tomë Gashi duke folur për RTV Dukagjini tha se agresorët në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit mund të dënohen deri me burgim të përjetshëm, pasi veprat që ata dyshohet janë shumë të rënda.
“Të dyshuarit mund të dënohen me burgim të përjetshëm sepse polici është vrarë në detyrë zyrtare, të dyshuarit i pret një departament special në Prishtinë, dhe në të ardhmen do të ketë punë sistemi juridik me ta”, ka thënë Gashi. Avokati shtoi se hetuesit duhet të shohin me kujdes sesi situata agravoi deri në këtë pikë.
Më 24 shtator, në një sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe dy efektivë të tjerë të Kosovës u plagosën. Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar 6 persona, që dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje. Të dyshuarit akuzohen për vepra, ku bëjnë pjesë dhe ata të përfshirje në akte terroriste.
Çfarë ndodhi në Kosovë më 24 shtator?
Një sulm i befasishëm i armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit bëri që një polic në Kosovë të vritet dhe dy të tjerë të plagosen. Polici hero Afrim Bunjaku u vra në pritë nga terroristët.
Më pas, grupi i armatosur u vendos në manastirin e fshatit Banjskë dhe anëtarët e bandës nuk pranonin të dorëzoheshin. Kjo bëri që policia të hapë zjarr dhe për pasojë, 4 prej kriminelë u vranë.
Më pas nga Policia e Kosovës thanë se janë arrestuar dhe persona të tjerë, që dyshohet se kanë lidhje me terroristët ose kanë ndihmuar ata. Efektivët sekuestruan makina e sasi të madhe të armatimit. /Zëri.ai/