
IRAN- Irani ka njoftuar fillimin e operacionit të quajtur “Shpallja e fitores” kundër forcave amerikane të vendosura në bazën ajrore Al-Udeid, në Katar. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se Irani nuk ka filluar dhe as nuk dëshironte luftë, por nuk do ta lërë pa përgjigje atë që e quajti agresion kundër vendit.
"Ne as nuk e nisëm luftën dhe as nuk e deshëm atë; por nuk do ta lëmë agresionin kundër Iranit të Madh pa përgjigje. Me gjithë qenien tonë, ne do të mbrojmë sigurinë e këtij populli, Zoti do të na ruajë, të dashur, dhe ne do t'i përgjigjemi çdo plage në trupin e Iranit me besim, mençuri dhe vendosmëri.", thuhet në postim.
Situata ka bërë që Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Kryetari i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, Dan Caine, të mblidhen në Dhomen e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, sipas një zyrtari të lartë.
Më herët, një tjetër zyrtar amerikan kishte konfirmuar se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Mbrojtjes po monitorojnë nga afër kërcënimet e mundshme ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar, baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme./ZËRI