
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Turk e quajti sot "të pamendueshme" që më shumë se 500 palestinezë të jenë vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori. Gjatë të njëjtës periudhë, 24 izraelitë, përfshirë tetë anëtarë të forcave të sigurisë, janë vrarë në Bregun Perëndimor dhe Izrael në përleshje ose sulme nga palestinezët, tha ai në të njëjtën deklaratë.
Bregu Perëndimor, nën pushtimin izraelit që nga viti 1967, ka parë një përshkallëzim të dhunës që nga 7 tetori, kur shpërtheu lufta midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Që atëherë, sipas zyrtarëve palestinezë, të paktën 522 palestinezë janë vrarë në zonë nga ushtarët izraelitë ose kolonët hebrenj.
“Sikur të mos mjaftonin ngjarjet tragjike në Izrael dhe më pas në Gaza gjatë tetë muajve të fundit, banorët e Bregut Perëndimor të pushtuar i nënshtrohen çdo ditë gjakderdhjes. Është e paimagjinueshme që kaq shumë jetë janë marrë në një mënyrë kaq të pajustifikuar”, nënvizoi Turk.
Më 1 qershor, tha ai, forcat izraelite vranë një adoleshent palestinez dhe plagosën rëndë një tjetër pranë kampit të refugjatëve Aqabat Jabr, pranë Jerikos, duke shtuar se i riu i dytë vdiq të nesërmen.
"Vdekjet e tyre, së bashku me katër palestinezë të tjerë të vrarë nga forcat izraelite të sigurisë, e çojnë në 505 numrin e palestinezëve të vrarë që nga 7 tetori, sipas informacionit të rishikuar nga zyra e OKB-së për të drejtate njeriut", theksoi Turk.
“Vrasjet, shkatërrimet dhe shkeljet e përgjithësuara të të drejtave të njeriut janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, nënvizoi Komisioneri i Lartë.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të "miratojë dhe zbatojë rregullat e angazhimit" që "përputhen plotësisht me normat dhe standardet e të drejtave të njeriut".
"Çdo pretendim për një vrasje të paligjshme duhet të hetohet plotësisht dhe në mënyrë të pavarur dhe përgjegjësit të mbahen përgjegjës," theksoi Turk./ZËRI