Bota

OBSH: Gati një e katërta e vajzave adoleshente dhunohen nga partneri

Në raport thuhet se gjetjet tregojnë se në shumicën e rajoneve, prevalenca e dhunës nga partneri është më i lartë në mesin e vajzave adoleshente krahasuar me gra deri në 49 vjeç.

k.m.
OBSH: Gati një e katërta e vajzave adoleshente dhunohen nga partneri
Foto ilustruese

SHBA- Rreth një e katërta e vajzave adoleshente që kanë qenë në marrëdhënie kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale. Ky është rezultati i një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa bën thirrje edhe për më shumë veprime parandaluese. Analiza e OBSH-së e botuar në revistën mjekësore "Lancet" zbulon se nga anketimi i mijëra vajzave adoleshente, 24% e tyre i ishin nënshtruar dhunës nga partneri të paktën një herë. Vetëm 16% e kishin raportuar në Polici.

“Dhuna nga partneri po fillon në mënyrë alarmante herët për miliona vajza të reja në mbarë botën. Duke pasur parasysh se dhuna gjatë këtyre viteve kritike të formimit mund të shkaktojë dëme të thella dhe të qëndrueshme, ajo duhet të merret më seriozisht si një çështje e shëndetit publik me fokus në parandalimin dhe mbështetjen e synuar,”-tha Dr.Pascale Allotey, Drejtore e Departamentit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues dhe Kërkimit të OBSH-së.

Në raport thuhet se gjetjet tregojnë se në shumicën e rajoneve, prevalenca e dhunës nga partneri është më i lartë në mesin e vajzave adoleshente krahasuar me gra deri në 49 vjeç. Ky studim bazohet në të dhënat ekzistuese dhe është hera e parë që kryhet një analizë e detajuar e prevalencës së dhunës fizike dhe/ose seksuale nga partneri, përjetuar nga vajzat 15-19-vjeçare që kanë qenë në marrëdhënie. Ai gjithashtu identifikon faktorë më të gjerë social, ekonomik dhe kulturor që rrisin rreziqet e tyre.

Bazuar në vlerësimet e OBSH-së, rajonet më të prekura janë Oqeania (47%) dhe Afrika Qendrore Sub-Sahariane (40%), ndërsa normat më të ulëta janë në Evropën Qendrore (10%) dhe Azinë Qendrore (11%).

Aktualisht, asnjë vend nuk është në rrugën e duhur për të eliminuar dhunën ndaj grave dhe vajzave deri në datën e synuar të Objektivit për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030. Përfundimi i martesës së fëmijëve, që prek 1 në 5 vajza globalisht dhe zgjerimi i aksesit të vajzave në arsimin e mesëm janë faktorë kritikë për reduktimin e dhunës nga partneri ndaj vajzave adoleshente./ZËRI

Poll

MOS HUMB