
SHBA- Fondi i investimeve i Jared Kushner nuk është i madh për standardet globale të financave. Por ndërsa ai e merr atë plotësisht këtë "rol", çdo hap do i shkaktojë probleme etike që do shtohen nëse vjehrri i tij, Donald Trump, fiton një tjetër mandat si president. Fondi i tij prej 3 miliardë dollarësh financohet pothuajse tërësisht nga investitorët e huaj me të cilët ai ka punuar kur shërbeu si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë të Trump. Ai ka marrë para nga fondet qeveritare të pasurisë në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe nga Terry Gou, një themelues i "Foxconn", prodhuesi i elektronikës me bazë në Tajvan, roli i të cilit në firmën e Kushner është zbuluar se fundmi.
Në total, 99 për qind e parave që ka firma e tij ka burime të huaja. Firma e Kushner, "Affinity Partners", po mbledh përafërsisht 40 milionë dollarë në vit nga tarifat e menaxhimit nga këta investitorë edhe përpara çdo pjese të fitimeve nga investimet. Ai ka bërë 10 investime deri më sot, me një total prej 1.2 miliardë dollarësh, shumë prej tyre janë bërë në kompani me bazë jashtë SHBA.
Investimet përfshijnë aksione në Shlomo Group , një kompani izraelite që merret me qiradhënie dhe financim për blerje makinash; Dubizzle Group, një faqe interneti pasurish të paluajtshme me bazë në Dubai; EGYM, një kompani e fitnesit elektronik me bazë në Mynih; Mozaik, me bazë në Kaliforni; dhe Zamp , një kompani e ushqimit të shpejtë të mbështetur nga Abu Dhabi që operon më shumë se 1000 restorante në Brazil. Investimet e tjera përfshijnë dy biznese sigurimesh dhe një kompani softuerike.
Transaksionet e huaja do të shqyrtohen sërish pasi vjehrri i Kushner kërkon sërish të futet në Shtëpinë e Bardhë si president dhe kështu do të kontrollojë politikën e jashtme amerikane. Muajin e kaluar, Kushner njoftoi planet për marrëveshjet e tij më të mëdha deri më tani, duke përfshirë një kompleks hotelesh dhe godinash prej 500 milionë dollarësh në Serbi dhe dy zhvillime të tjera luksoze të planifikuara në bregdetin e Mesdheut të Shqipërisë. Këto projekte u përfituan nga marrëdhëniet e krijuara pjesërisht gjatë administratës Trump dhe përfshinin drejtpërdrejt presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Shqipërisë, me të cilët Kushner është takuar verën e shkuar.
Në një seri intervistash, Kushner, 43 vjeç, shpalosi detaje të reja nga përpjekja që po bën për të rritur firmën e tij. Ai gjithashtu u mbrojt kundër pyetjeve të konfliktit të interesit.
“Ndjekja e ligjeve dhe rregullave është diçka që ne e bëjmë gjithmonë. Perceptimi, siç kam mësuar që nga koha ime në politikë, është i rëndësishëm. Por nuk mund të kontrolloj se çfarë do të shkruajnë apo thonë të gjithë për mua.”
Kushner, pronari i vetëm i kompanisë, tha se shpresonte të gjeneronte miliarda dollarë nga ajo që ka investuar. Ai ka ngritur biznesin e tij në katin e nëntë të një kulle zyre në veri të Majamit. Muret e saj janë të mbushura me kujtime nga koha e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë një duzinë artikujsh të nënshkruara nga Trump, shpesh me fjalët "Jared, punë e shkëlqyer. Faleminderit."
Kushner ka thënë se nuk ka ndërmend të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ai flet se sa i lumtur është në jetën që po bën tani. Megjithatë ai vazhdon t'i ofrojë këshilla "American First Policy Institute", një organizatë jofitimprurëse e krijuar nga ish-zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të Trump, të cilët tashmë po përgatiten për një rikthim të mundshëm në pushtet. Por edhe pse po përballet me kritika, Kushner tha se e kuptonte se nuk mund t'i shmangej kontrolleve. Por ai tha vazhdimisht se ishte i bindur se po vepronte në mënyrë etike dhe ligjore dhe nuk shqetësohej shumë për ato që janë bërë sulme të rregullta nga demokratët në Kongres dhe rojet e etikës.
Por nuk janë vetëm grupet liberale që ngrenë pyetje për aktivitetet e Kushner.
Përfaqësuesi James R. Comer, republikan i Kentakit dhe kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve – i cili ka hetuar Presidentin Biden dhe djalin e tij, Hunter Biden – tha në një intervistë në CNN vitin e kaluar se “ajo që bëri Kushner e kaloi kufirin e etikës”, duke iu referuar financimit saudit për firmën e investimeve të Kushner.
J. Robinson West, një ish-zyrtar i administratës së Reagan-it tha se kishte tre gjëra që i konsideron si "të pazakonta" në lidhje me sipërmarrjen e Kushner: shuma e madhe e parave që ai ka mbledhur, shpejtësia që i ka grumbulluar dhe natyrën e biznesit të tij.
"Shumë njerëz largohen nga qeveria dhe bëhen lobistë ose fillojnë si konsulentë nëfirma", tha West, duke listuar rastet e ish-sekretarëve të shtetit Henry A. Kissinger dhe Madeleine K. Albright. Por ai tha se nuk mund të kujtonte asnjë precedent që një zyrtar qeveritar të largohej nga detyra dhe të ndërmerrte një firmë investimi që grumbullonte miliarda dollarë nga qeveritë e huaja me të cilat zyrtari kishte punuar gjatë kohës që shërbente në qeveri.
Ndërtimi i portofolit të tij
Kushner hyri në Shtëpinë e Bardhë pasi kishte shërbyer gati një dekadë si shef ekzekutiv i një kompanie investimi në pasuri të paluajtshme të ndërtuar nga babai dhe gjyshi i tij. Filozofia e tij e biznesit, tha ai në një paraqitje të fundit, ishte fokusimi në gjetjen e fitimeve në nivelet më të larta të tregut. Por shija e tij për marrëveshje të nivelit të lartë solli komplikime, si psh. blerja prej 1.8 miliardë dollarësh e zyrës në 666 Fifth Avenue në Manhattan në 2007. Pasi Kushner mori postin e tij në Shtëpinë e Bardhë – si këshilltar i lartë i papaguar – ai nganjëherë largoi shumë diplomatë të lartë, si Rex Tillerson, ish-shefi ekzekutiv i Exxon Mobil, i cili shërbeu si sekretari i parë i shtetit i Trump.
Kushner zhvilloi një marrëdhënie me ambasadorin kinez dhe një miqësi me Mohammed bin Salman, princin e kurorës saudit, me të cilin ai shkëmbente mesazhe përmes WhatsApp. Ai gjithashtu punoi me zyrtarë meksikanë për të rishikuar një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara. Ish-zyrtarët e administratës Trump, të cilët bashkëpunuan ngushtë me Kushner, thanë se ai e kuptoi menjëherë se si dhëndër i presidentit kishte një avantazh ndaj kolegëve të tij më me përvojë.
Ai luajti një rol thelbësor në përparimet diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve arabe që u etiketuan Marrëveshja e Abrahamit, ndoshta arritja më e rëndësishme e Kushner në Shtëpinë e Bardhë. Kushner tha se ai e shihte fondin e investimeve si mundësinë e tij të parë për të nisur një biznes në shkallë të gjerë dhe tërësisht i vetëm.
"Unë punoj me njerëz me të cilët dua të punoj, marr vendimet që dua të marr,"- tha ai.
John R. Bolton, i cili shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare për Trump përpara se të dy të kishin një grindje, tha në një intervistë se kryqëzimi i rolit të Kushner në Shtëpinë e Bardhë dhe biznesit të tij aktual ngritën shqetësime për atë që ai ka bërë gjatë kohës që shërbente në qeveri. Siç e portretizon Kushner, ai ka qenë jashtëzakonisht i zellshëm që nga dita kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, duke shmangur lëvizjet e dyshimta etike.
“Një nga arsyet që mendoj se firmat na pëlqejnë ne si investitorë, ata e dinë se ne jemi një firmë shumë e kontrolluar. Ne operojmë shumë profesionalisht.”
Por edhe Trump në të kaluarën ka qenë kritik ndaj ish-zyrtarëve të qeverisë që kërkojnë para nga qeveritë e huaja. Gjatë fushatës së tij të vitit 2016 kundër Hillary Clinton, Trump dënoi mbledhjen e fondeve nga Fondacioni Clinton.
"Plotësisht e korruptuar," tha ai gjatë një fjalimi.
Kushner tha se krahasimi nuk kishte vend, pasi Clinton ishte sekretare e shtetit kur u bënë disa prej donacioneve, ndërkohë që ai nuk është më në qeveri.
Nisja e ngadaltë
Firma e zotit Kushner filloi ngadalë, pasi ai rekrutoi një staf këshilltarësh me përvojë investimi, duke përmendur Asad Naqvi dhe Bret Pearlman. Fillimi i ngadaltë doli i rastësishëm.
“Ne iu shmangëm shumë çmendurive në fillim. Kemi qenë shumë përzgjedhës,"- tha Kushner.
Kushner tha se firma e tij kishte verifikuar të paktën 1,430 mundësi investimi që nga hapja e zyrës në korrik 2021, duke vlerësuar nga afër rreth 300 marrëveshje të mundshme dhe më pas duke e ngushtuar listën me 10, në shuma që variojnë nga 100 milionë deri në 500 milionë dollarë.
Investimi i tij i parë në Izrael shkoi në "Shlomo Group", një konglomerat në pronësi të familjes që ka një sërë asetesh të ndryshme, duke përfshirë divizione që merren me ndërtimin, pasuritë e paluajtshme, makinat me qira dhe ndërtimin e anijeve. Kushner mori 15 për qind të aksioneve në njësinë e biznesit të makinave dhe kredive të Grupit Shlomo për një angazhim prej 150 milionë dollarësh. Për shkak se Shtetet e Bashkuara i japin Izraelit miliarda dollarë ndihmë ushtarake çdo vit, vjehrri i Kushner së shpejti mund të jetë sërish në gjendje të ndihmojë partnerin e biznesit të dhëndrrit të tij,
Israel Shipyards tashmë është duke punuar në projektimin e një anijeje të re për Marinën izraelite që është planifikuar të përfshijë komponentë të subvencionuar nga Amerika. I pyetur për këto lidhje, Kushner tha se nuk ka investuar në atë pjesë të kompanisë. Kushner gjithashtu u bashkua kohët e fundit me Mubadala Investment Company, fondin e pasurisë sovrane me bazë 280 miliardë dollarë në Abu Dhabi, teksa u zhvendos për të blerë një aksion më të madh në Zamp, operatori me bazë në Brazil i Burger King.
Në Serbi, Kushner po punon për të përfunduar një marrëveshje të mbështetur nga qeveria për të marrë kontrollin e ndërtesës së selisë ushtarake të ish-Jugosllavisë në qendër të Beogradit për ta shndërruar atë në një zhvillim luksoz. Transaksioni përfshin disa nga të njëjtët zyrtarë serbë me të cilët partneri i biznesit i Kushner dhe ish-kolegu i administratës Trump, Richard Grenell, u mor në vitin 2020, kur negocionte një marrëveshje rajonale që përfundimisht i solli Serbisë qindra miliona dollarë ndihmë financiare të premtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në Shqipëri, ku Kushner ka negociuar dhënien me qira të një ishulli në pronësi të qeverisë për të ndërtuar një hotel tjetër luksoz, qeveria ka lëvizur gurët për të modifikuar ligjet që do ta bëjnë më të lehtë ndërtimin e komplekseve turistike me pesë yje në zona detare të ndjeshme dhe në zona të mbrojtura. Nga këto ndryshime mund të përfitojnë projektet e propozuara nga Kushner.
Një zëdhënës i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama tha se ndryshimet ligjore nuk janë shkruar posaçërisht për projektin e Kushner. Dhe nga ana e tij, Kushner, në intervista, tha se nuk kishte luajtur asnjë rol për ndryshimet, por i quajti ato një shenjë e një qeverie që po kërkonte me zgjuarsi mënyra për të promovuar ekonominë e saj turistike.
Problemi sipas Steven L. Schooner, një profesor i drejtësisë në Universitetin "George Washington" është se edhe nëse Kushner nuk kërkon qëllimisht favore nga qeveritë e huaja, ai sërish i siguron.
"Ka shumë qeveri të huaja që do të donin të shiheshin në mënyrë të favorshme nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Biznesi me dhënrin e tij është një mënyrë për ta arritur,"- tha Schooner.
Por Kushner tha se ai mbeti i bindur se nëse Trump rizgjidhej president, të gjitha vendimet që merrte vjehrri i tij do të bazoheshin në atë që ishte më e mira për vendin, jo në ndonjë interes të biznesit familjar. Ai shtoi se asnjë favor ndaj tij nga asnjë qeveri e huaj nuk do të pranohej.
“Nëse ata mendojnë se do të kenë trajtim të veçantë nga Trump sepse po bëjnë një marrëveshje me mua, e kanë gabim. Kjo do të ishte marrëzi."/ZËRI
Marrë dhe përkthyer nga NEWYORKTIMES