
SEUL- Opozita e Koresë së Jugut njoftoi sot se ka paraqitur një mocion shkarkimi për presidentin në detyrë Khan Duk-soo, duke shënuar kështu një episod të ri në krizën politike.
"Ne kemi paraqitur një mocion censure menjëherë përpara seancës plenare. Do ta hedhim për votim nesër,"- u tha gazetarëve në Asamblenë Kombëtare ligjvënësi i Partisë Demokratike, Park Sung-joon. Opozita akuzon Khan për refuzimin e plotësimit të tre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet brenda gjashtë muajve të mbështesë ose të anulojë shkarkimin e presidentit të vendit, Yoon Sok-gil, i cili më 14 dhjetor vendosi për vetëm disa orë ligjin ushtarak. Khan Duk-soo, kryeministri, i cili është caktuar edhe si president i komanduar duhet të zgjidhte tre nga nëntë vendet në Gjykatë Kushtetuese.
Tre gjyqtarët e rinj duhet të emëroheshin sot nga presidenti në detyrë. Por 75-vjeçari Khan pretendon se statusi i tij si president në detyrë nuk i jep atij fuqinë për të bërë emërime të rëndësishme dhe këmbëngul se zgjedhja e gjyqtarëve duhet të jetë objekt i një marrëveshjeje midis Partisë së Pushtetit Popullor (PPP në pushtet) dhe partitë opozitare.
"Presidenti në detyrë duhet të përmbahet nga ushtrimi i kompetencave ekskluzive presidenciale më të rëndësishme, ndër të cilat është emërimi në institucionet kushtetuese. Së pari duhet të arrihet një konsensus mes partisë në pushtet dhe opozitës në Asamblenë Kombëtare, e cila përfaqëson popullin,”-tha Khan.
Nëse mocioni i shkarkimit i paraqitur sot nga opozita miratohet, ministri i Financave Choi Sang-mok do të marrë postin e presidentit në detyrë. Kushtetuta e Koresë së Jugut parashikon që Asambleja Kombëtare mund të shkarkojë presidentin e vendit me një shumicë prej dy të tretave të votave dhe kryeministrin dhe anëtarët e tjerë të qeverisë me një shumicë të thjeshtë. Opozita, e cila mban 192 nga 300 vendet në Asamblenë Kombëtare, thotë se i duhet vetëm një shumicë e thjeshtë për të rrëzuar Khan, pasi ai mban vetëm postin e kryeministrit. PPP në pushtet argumenton se kërkohet një shumicë prej dy të tretash pasi Khan është ushtrues i detyrës së presidentit.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese pritet të mbajë nesër, seancën e saj të parë për çështjen e Yoon. Nëse tre vendet e tij të lira nuk plotësohen para përfundimit të procedurës, gjashtë gjyqtarët e mbetur do të duhet të vendosin unanimisht për të shkarkuar presidentin. Kjo pasi edhe një votë kundër shkarkimit të tij do të nënkuptonte rikthimin e tij automatikisht në presidencë. Ndaj 64-vjeçarit Yoon Seok-gil ka nisur një hetim edhe për “grusht shteti”, krim për të cilin ai mund të dënohet me vdekje. Agjencia kundër korrupsionit, e cila po kryen hetimet, ka thirrur tashmë dy herë Yoon për ta marrë në pyetje lidhur me ngjarjet e 3-4 dhjetorit, por ai nuk ka shkuar. Hetuesit pritet të vendosin në ditët në vijim nëse do ta thërrasin për herë të tretë apo do t'i kërkojnë gjykatës që të lëshojë një urdhër për arrestimin e tij.
Yoon Seok-geul, 63 vjeç, tronditi dhe zemëroi vendin duke vendosur ligjin ushtarak në fillim të dhjetorit, përpara se të detyrohej të tërhiqej gjashtë orë më vonë nën presionin e parlamentit dhe protestuesve./ZËRI