
BRITANI E MADHE- Babai irakian që humbi vajzën e tij shtatëvjeçare javën e kaluar në Kanalin Anglez në përpjekje për të shkuar në Britani, ka folur për BBC për humbjen e tij tragjike. Ahmed Alhasimi kishte hipur në gomone me gruan dhe tre fëmijët e tij në jug të Calais, më 23 prill, me qëllim që të kalonin ilegalisht në Britani. Pak para nisjes, një grup migrantësh nxituan të hipnin në varkën tashmë të mbingarkuar. Momentet që pasuan ishin makth dhe rezultuan që 7-vjeçarja Sara dhe 4 persona të tjerë të humbnin jetën.
Alhasimi tregon se e gjeti veten të ngujuar brenda gomones duke bërtitur për ndihmë, duke sulmuar trupat rreth tij, duke iu lutur njerëzve të lëviznin, për t'i dhënë hapësirë, për ta lënë të zbriste dhe të shpëtonte vajzën e tij shtatëvjeçare, Sarën, nga errësira mbytëse në të cilën ajo ishte dërrmuar.
"Ajo kohë ishte si vetë vdekja. Ne pamë njerëz që vdisnin. Unë pashë se si po silleshin ata burra. Nuk u interesonte se kë po shkelnin një fëmijë, apo kokën e dikujt, i ri apo i moshuar. Njerëzit filluan të mbyten", tha Ahmed, me hidhërim.
Më tej 41-vjeçari rrëfeu përpjekjet e tij për të shpëtuar vajzën e tij, trupi i së cilës ishte bllokuar në varkën e mbipopulluar, duke iu lutur emigrantëve të tjerë që ta ndihmonin. Gruaja e tij, Noor Alsaid, dhe dy fëmijët e tjerë, Rahaf 13-vjeçar dhe Hussam 8-vjeçar, ishin gjithashtu të bllokuar, por mund të merrnin frymë.
Sipas BBC, familja e Alhasimit kishte mbërritur në Calais dy muaj më parë dhe kjo ishte hera e katërt që ata tentonin të kalonin Kanalin anglez. Në raste të mëparshme, policia lokale kishte ndërhyrë dhe i kishte penguar. Kësaj radhe trafikantët, të cilët paguhen 1500 euro për çdo pasagjer të rritur në varkat e tyre dhe rreth gjysmën për çdo fëmijë, u kishin premtuar atyre se varka do të transportonte vetëm 40 persona, kryesisht irakianë.
“Pashë kokën e saj në cep të varkës. Ajo ishte e mavijosur. Ajo ishte tashmë e vdekur kur e nxorëm jashtë. Nuk po merrte frymë. Nuk do ta fal kurrë vetes. Por deti ishte zgjedhja jonë e vetme. Nuk doja të ndodhte por më mbaruan opsionet. Njerëzit më fajësojnë mua dhe më pyesin se si mund t’i vë në rrezik vajzat e mia. Por unë kalova 14 vjet në Evropë dhe ata më refuzuan”, thotë burri irakian duke qarë.
Familja e Ahmedit sot mbetet në Francë në pritje të lejes për të varrosur Sarën. Ai sot po i përgjigjet kritikave se ka vënë në rrezik familjen e tij për të hyrë ilegalisht në Britani. 41-vjeçari pretendoi se Belgjika refuzoi t’i jepte azil sepse Basra , vendlindja e tij në Irak, konsiderohet një zonë e sigurt./ZËRI