Bota

Një tjetër shtet heq Donald Trump nga fleta e votimit

Maine është shteti i dytë që skualifikon Trump, pasi Gjykata e Lartë e Kolorados dha vendimin e saj që e largoi ish-presidentin nga votimi në fillim të këtij muaji.

f.t
Një tjetër shtet heq Donald Trump nga fleta e votimit
Donald Trump

SHBA- Duket se nuk ka qetësi për ish-presidentin amerikan Donald Trump. Së fundmi zyrtari i lartë zgjedhor i Maine ka hequr ish-presidentin Donald Trump nga votimi paraprak i shtetit të vitit 2024. Sipas CNN vendimi bazohet në pikën tre të nenin 14 të Kushtetutës, që trajton rastet se kur një zyrtar nuk kualifikohet për të garuar për një post zyrtar.

Vendimi e bën Maine shtetin e dytë që skualifikon Trump, pasi Gjykata e Lartë e Kolorados dha vendimin e saj që e largoi ish-presidentin nga votimi në fillim të këtij muaji.

Sekretarja e Shtetit të Meinit Shenna Bellows tha se Trump nuk mund të kandidonte sërish për president, për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmendur pikën tre të amendamentit 14, që ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.

Nga ana tjetër fushata e Trump tha se do të paraqiste shpejt një kundërshtim ndaj vendimit "mizor". Avokatët e Trump kanë kundërshtuar faktin se ai u përfshi në kryengritje dhe argumentuan se vërejtjet e tij ndaj mbështetësve në ditën e trazirave të 2021 mbroheshin nga e drejta e tij për lirinë e fjalës.

Ndaj ish-Presidentit Trump janë ngritur padi si në nivel federal ashtu edhe në shtetin e Xhorxhias lidhur me rolin e tij në përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, por ndaj tij nuk janë ngritur akuza për kryengritje apo rebelim në lidhje me sulmin e 6 janarit.

Trump kryeson garën brenda partisë për të fituar emërimin zyrtar si kandidat për president, me një diferencë të madhe ndaj kandidatëve të tjerë republikanë. Pak kohë me parë, më 19 dhjetor, Gjykata e Lartë e Kolorados e skualifikoi Trump nga zgjedhjet paraprake të shtetit, duke e bërë atë kandidatin e parë në historinë e vendit që konsiderohet i papërshtatshëm për të garuar për president për shkak të asaj që gjykata e cilësoi si përfshirje e tij në kryengritje./ZËRI

Poll

MOS HUMB