
KOSOVË- Faton Hajrizi, i lindur në Komunën e Skënderajt në Kosovë është shndërruar në njeriun me një famë të gjerë për histori kriminale dhe për herët e shumta që është arratisur nga burgu, pavarësisht se nuk është profili tipi i një anëtari të një grupi kriminal që merret me trafik të lëndëve narkotike apo i një vrasësi me pagesë.
Fatoni është rritur në rrethana krej normale, në një familje të mirë në Skënderaj dhe gjithçka dukej në rregull deri në kohën e luftës, kur ai ishte 14 vjeç.
Për herë të parë, Hajrizi u arrestua në vitin 2000, për vrasjen e një ushtari rus të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në atë kohë, ai ishte vetëm 15-vjeçar. Siç përshkruhet në një vendim të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, vrasja ka ndodhur në një nga sheshet e Skenderajt, ku Hajrizi ia ka marrë armën ushtarit dhe më pas e kishte plagosur. Ushtari me inicialet I.K vdiq më 2 mars të atij viti nga plagët e marra.
Faton Hajrizi ka rrëfyer se teksa po shkonte në shkollë pa disa ushtarë, për të cilët mendonte se ishin amerikanë dhe njërit prej tyre i ishte afruar për ta falenderuar, për ndihmën që i kishin dhënë Kosovës. Por, në fakt ushtari të cilit i’u afrua Hajrizi ishte një rus dhe dyshja kanë nisur debatin deri në momentin që Fatoni i ka marrë armën dhe e ka qëlluar.
Hajrizi u vendos në qendra të ndryshme paraburgimi që nga fillimi i vitit 2000, ndërsa me një aktvendim të marsit të vitit 2001, atij iu caktua një “masë edukuese” pas të cilës do të dërgohej në një “Qendër Edukimi” dhe “do të ishte nën mbikëqyrje të një ekipi profesional”.
Megjithatë, nuk ka dokumente të ruajtura që të tregojnë se ku është dërguar Hajrizi pas këtij vendimi.
Vetë Hajrizi rrëfente në intervista të ndryshme në mediat e Kosovës se në paraburgime është keqtrajtuar dhe se është mbajtur lidhur pas krevatit.
Sipas tij, në momentin që ka qëlluar ushtarin, është vetëdorëzuar duke menduar se do ta dërgonin në një burg për të mitur, por tre ditë më vonë ka përfunduar duke u arratisur me pranga në duar për shkak të keqtrajtimeve të marra.
Përveç për vrasjen e ushtarit, në aktvendimin e vitit 2001, Hajrizi rezulton të jetë dënuar dhe për një tentativë vrasjeje si dhe tri vjedhje makinash. Të gjitha këto vepra, sipas gjykatës, janë kryer nga fillimi i vitit 2000 deri në fillimin e vitit 2001, në Skenderaj, Drenas, Prishtinë dhe Mitrovicë e Jugut.
Hajrizi u arrestua në vitin 2006 teksa kryente një grabitje me armë në bashkëpunim me dikë tjetër me iniciale B.B, në Skenderaj. Në këtë grabitje, ata morën para, telefona, cigare e karta për mbushje telefoni.
Dy vite më vonë, në vitin 2008, Gjykata e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë, e dënoi me gjashtë vite burg.
Hajrizi besohet të jetë arratisur për rreth 9 herë nga institucionet korrektuese të Kosovës, ndonëse Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) nuk e ka konfirmuar numrin e saktë. Madje, ai ka deklaruar për mediat në Kosovë që ka ikur edhe nga baza ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel.
Shumica e arratisjeve të tij, të paktën tri ose katër, kishin ndodhur rreth vitit 2000, siç përshkruhet nga dokumentet zyrtare dhe nga vetë Hajrizi në intervistat e dhëna për media.
Sipas tij, arratisjen e parë e realizoi duke dalë nga dritarja e tualetit. Ndërsa në arratisje të tjera, Hajrizi pretendonte se kishte prerë edhe grilat me sharra, si dhe kishte përdorur aspirimin për të dalë.
Vetë Gjykata e Qarkut në Mitrovicën e Veriut në aktvendimin për dënimin e tij më 2001, përmend se 15-vjeçari në atë kohë ishte arratisur një herë nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë në mars të vitit 2000 dhe një herë tjetër në nëntor të atij viti, në Qendrën e Paraburgimit në Skenderaj.
Ndonëse nuk e saktëson numrin, në vendim po ashtu thuhet se “i paraburgosuri bëri përpjekje dhe ia doli të shpëtonte disa herë nga burgu”.
Një arratisje tjetër e Faton Hajrizit përshkruhet në një raport të Departamentit të Shtetit Amerikan. Sipas këtij raporti, Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Pejës në gusht të vitit 2005 dhe më pas ishte kapur sërish në tetor të vitit 2006.
Së bashku me gjashtë persona të tjerë, Faton Hajrizi ishte arratisur edhe nga Burgu i Dubravës, në Istog në vitin 2007.
Sipas raportimeve të mediave në atë kohë, pasi kishin kaluar rrethojat e burgut, shtatë të burgosurit janë pritur nga persona të tjerë, të cilët kanë filluar të shtënat kundër rojave të burgut”.
Në vitin 2012, Faton Hajrizi u arratis gjatë shëtitjes ditore në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Sipas raportimeve, ai kishte kapërcyer murin e oborrit, telat gjëmborë dhe më pas është hedhur nga muri i lartë disa metra.
Muajt e fundit, Faton Hajrizi po qëndronte në burgun e “tipit të hapur” në Smrekonicë të Vushtrrisë, që do të thotë se ishte në masa të ulëta sigurie.
Sipas zyrtarëve të SHKK-së, ai kishte shfrytëzuar disa herë të drejtën për të shkuar në shtëpi gjatë fundjavës dhe madje kishte bërë kërkesë për të bërë punë jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.
Arratisja e tij ndodhi më 6 korrik 2024 rreth orës 1 pas mesnate.
Arratisja e tij pastaj bëri bujë në rrjetet sociale pasi Hajrizi postonte video kryesisht në platformën TikTok, duke sfiduar institucionet që po e kërkonin.
Vendndodhja e tij mbeti mister për një kohë, deri më 18 korrik kur u raportua për vrasjen e policit serb.
Plani i Faton Hajrizit ishte të takohej me trafikantin Zoran Radovanoviç. Kur zyrtarët policorë, kanë qenë duke kontrolluar makinat në Lipniçki Shor, kanë ndaluar një të llojit Mercedes Benz, me targa serbe, në të cilën kanë qenë dy persona, një prej tyre Faton Hajrizi. Gjatë përplasjes mbeti i vrarë polici Nikolla Krsmanoviç dhe një tjetër u plagos.
Në vendngjarje u gjet mjeti i identifikimit të vëllait të tij, Artan Hajrizit, identitet ky që siç duket Fatoni e kishte përdorur për të qarkulluar lirshëm pas arrative, pa frikën se dikush do ta prangoste.
Vetë Artan Hajrizi reagoi nga Gjermania dhe u shpreh se i vëllai ia kishte vjedhur dokumentet për t’ia përdorur për arratisje.
Një ditë më pas, më 19 korrik, Faton Hajrizi u vra nga autoritetet serbe pranë kufirit të Lloznicës. Ministri i Brendshëm i Serbisë tha se Hajrizi hapi zjarr ndaj Policisë dhe për këtë arsye u ekzekutua menjëherë nga forcat e rendit.
Kjo ngjarje solli reagime të shumta. Logoja në armën e Hajrizit dhe fakti që ishte vrarë nga forcat serbe, bënë që rrjeti të ndizej në reagime. Gjithashtu nisi dhe përhapja e teorive konspirative. Shumë hodhën dyshime se Hajrizi nuk ishte vrarë e po mbahej peng, më pas që ishte torturuar.
Por, autopsia vulosi gjithçka, Faton Hajrizi ishte qëllua me tre plumba dhe nuk ishte shpërfytyruar, gjë që u vërtetua dhe nga nëna e tij, kur bëri identifikimin e kufomës në morg.
Turma tashmë ishte euforike dhe rrjetet sociale u mbushën me postime që e identifikonin Hajrizin si një hero, në rrugë shihje kudo pankarta për të. Dhe ashtu u përcoll në banesën e fundit, me flamurin kuqezi mbi shpinë. Mijëra qytetarë mes lotësh e thirrjeve “UÇK” e “LAVDI” i dhanë lamtumirën e fundit.
Ai u krahasua me Astrit Deharin, për vetë faktin që shteti duhet të ishte përgjegjësi për ta mbajtur në burg dhe se për shkak të paaftësisë së institucioneve, Hajrizi i theu qelitë e përfundoi në të tilla rrethana që i sollën vdekjen.
E ndërsa qeveria Kurti bëri një paralelizim me rreshterin Afrim Bunjaku, duke shtuar se ai është heroi i vërtetë që u vra në Banjskë në krye të detyrës si dhe 23 pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës.
Këto deklarata u ndoqën nga fjalët e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila tha se është shqetësues diskursi dhe vlerat që humb shoqëria, kur quhet hero një person i cili ka vepra të rënda, ka plagosur policinë e Kosovës, i cili është dënuar për vepra të rënda kriminale.