Bota

Epopeja e UÇK-së/ Osmani e Kurti fjalime në Kuvend! (AXHENDA)

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

E.K
Epopeja e UÇK-së/ Osmani e Kurti fjalime në Kuvend! (AXHENDA)
Adem Jashari

KOSOVË- Sot Kosova shënon 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes festës, ceremonive, homazheve dhe fjalimeve të krerëve më të lartë të shtetit në Kuvend. Po ashtu parashikohet një vizitë në memorialin kushtuar familjes së heroit të Kombit Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz. Ceremonia zyrtare në nder të Epopesë nisi në Kuvendin e Kosovës, i cili po mban seancë solemne, e cila nisi krejt ndryshe.

Pas këndimit të himnit kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë, Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri hapën me këngë patriotike seancën plenare. Shaqiri këndoi për deputetët dhe mbarë Kosovën këngën hit “Sërish vjen Marsi”, e pas tij Kuvendi i Kosovës jehonte nga kënga që bashkon shqiptarët “Mora fjalë” nga Shkurte Fejza.

Pas këtyre momenteve, erdhi radha e fjalimeve politike të rastit nga krerët e shtetit. Presidentja Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj tha se kjo ditë rikthen kujtimet e periudhës më të lavdishme të historisë që lidhen me përpjekjet për liri e pavarësi.

Vjosa Osmani: ’Sërish vjen marsi’, nuk është më vetëm një refen kënge, por moto e luftës tonë për liri e pavarësi që identifikohen me kryepersonazhin e luftës tonë, Adem Jasharin dhe familjen e tij. Më 5,6 dhe 7 mars, Ademi, Hamza treguan heroizëm dhe sakrificë të pashoq duke mbrojtur pragun e shtëpisë që tyre, e pragu i shtëpisë së tyre simbolizonte vetë Kosovën. Epopeja e UCK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe shtet. Adem Jashari ishte vizionar, ndërkaq guximi i tij nuk njihte kufi. Tani më shumë se kurrë uniteti për çështje të interesit kombëtar është i domosdoshëm si mjet për ta forcuar integritetin dhe kujtimin e atyre që u sakrifikuan për lirinë tonë. Kosova është atdheu ynë që meriton çdo ditë përkushtimin tonë të palëkundur.

Ndërkohë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi gjatë fjalës së tij se liria ishte kushti i jetës e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit.

Albin Kurti: Adem Jashari dhe krejt çka përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe. Ajo është hisja e një njeriu që brenda kohës së tij dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij gjatë gjithë jetës deri në vdekje, deri në rënien heroike. Liria ishte kushti i jetës e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Andaj nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri, atëherë Adem Jashari është emri i përvetshëm i njeriut me të cilin ne mund t’i referohemi lirisë sonë. Lavdi Adem Jasharit, familjes Jashari, UÇK-së dhe gjithë dëshmorëve të kombit.

Ndërsa kreu i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se Adem Jashari dhe familja e tij u sakrifikuan kolektivisht në luftën për liri. 

Glauk Konjufca: Ademi, Hamza, me Bacën Shaban, u sakrifikuan kolektivisht në luftën për liri. Ata zbatuan parimin ideal të jetës: Liri a vdekje. Liria është si ajri, por ajo nuk rri pezull, ngrihet mbi themele të forta, kurse rrënjët shtrihen thellë në tokën e të parëve.

I pranishëm në Kuvendin e Kosovës ishte dhe Rifat Jashari. Ai ishte ulur krah Presidentes Vjosa Osmani. Pas ceremonisë në Kuvendin e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka organizuar një axhendë organizimesh.

Nga ora 11:30-12:00, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, do të fillojë pritja e mysafirëve.

Ceremonia fillon në orën 12:00, diku tre minuta pas fillimit do të bëhet inspektimi i kuadrateve nga presidentja Vjosa Osmani dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Pas kësaj Bendi Frymor i FSK-së luan himnin Shtetëror dhe Kombëtar, ku pastaj bëhen homazhe pranë Obelsikut të UÇK-së.

Fjalimi i presidentes pritet të fillojë nga ora 12:15, ndërsa i kryeministrit Albin Kurti, 10 minuta më pas.

Fjalim do të mbajë edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, ndërsa pastaj do të ketë pjesë artistike nga Bendi Fymor, në ora 12:40.

Pas 10 minutave, në orën 12:50, pritet të bëhet mbyllja e ceremonisë.

Kjo ditë e shënuar për luftën e Kosovës për liri dhe pavarësisi nuk ka kaluar pa incidente. Komuna e Skënderajt njoftoi se ishte përjashtuar nga Qeveria e Kosovës në organizimin e ferstimeve duke bërë që të dilte me axhendë të veten.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje./ZËRI

Poll

MOS HUMB