Bota

Nga sot, në Kosovë ndalohet qarkullimi i dinarit serb

Sipas grupit QUINT, që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

f.t
Nga sot, në Kosovë ndalohet qarkullimi i dinarit serb
FOTO ILUSTRUESE

KOSOVË-Nga sot hyn në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme. Vendimi ka nxitur shqetësimin e udhëheqësve të Serbisë të cilët thanë se qëllimi i kësaj rregulloreje është ndalimi i përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. 

Gjithashtu dhe pse nga zyrtarët ndërkombëtar është kërkuar që të shtyhet ky vendim, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili në një intervistë ekskluzive për ‘Ekonomiks” në RTK ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të vendimit që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë. 

Ndërkohë Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu, tha se do të zhvillohet një fushatë për infomimin e qytetarëve dhe se shpreson për biseda mes bankave qendrore të Kosovës dhe të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve. Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur që “zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis”.

“Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që në periudhat eventuale transitore të sigurojmë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa u dëmtuar”.

Rregullorja që lejon pagesat me para të gatshme në Kosovë të bëhen vetëm me euro ka nxitur shqetësimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb.

Sipas grupit QUINT, që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

BE-ja, në anën tjetër, kërkoi marrëveshje në dialog për vendimin e BQK-së.

Sipas BE-së, për këtë vendim, që hyn në fuqi më 1 shkurt, nuk ka pasur konsultime paraprake “veçmas për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh “mungesën e alternativave në këtë moment”.

“BE-ja vë në pah se kjo rregullore do të ndikojë po ashtu në mbështetjen financiare që marrin serbët e Kosovës nga Serbia”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian më 1 shkurt. BE-ja i bëri thirrje Kosovës që të ofrojë një periudhë të gjatë tranzicioni dhe “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga blloku.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”,-tha BE.

Në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se për ta zbatuar këtë vendim në tërësi, Kosovës i duhet mbështetja e aleatëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB