
IZRAEL - "Nuk ka vend në Gaza, ku Izraeli nuk do të arrijë", paralajmëroi të mërkurën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, disa orë pasi ushtria izraelite hyri në spitalin më të madh të enklavës palestineze.
"Ne do të arrijmë të shkatërrojmë Hamasin dhe do të kthejmë pengjet, pasi këto janë dy misione të shenjta", tha Netanyahu gjatë një vizite në një bazë ushtarake.
“Vrasësit e Hamasit do të vriten, kjo organizatë terroriste do shkatërrohet, nuk ka dyshime”, shtoi ai, raporton CNN grek.
Ushtria izraelite hyri sot në spitalin al-Shifa, ku pretendon se është vendosur një bazë strategjike e Hamasit. Ky operacion ngre shqetësime për fatin e mijëra palestinezëve të zhvendosur.
“Ata na kërkuan që të mos depërtonim në Gaza. Ne megjithatë, hymë gjithsesi. Ata na thanë se nuk do të arrinim në hyrje të qytetit të Gazës, por ia dolëm. Ata na thanë se nuk mund të hynim në spitalin Al Shifa, ne u futëm”, vazhdoi fjalimin Netanyahu.
Ky spital prej disa ditësh është në qendër të luftimeve mes ushtarëve izraelitë dhe luftëtarëve të Hamasit.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka hyrë tashmë në Gaza. Më tepër se 12500 njerëz janë vrarë nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/