
JERUZALEM - Pesë ditë pas pushtimit tokësor të Izraelit në Gaza, batalionet e blinduara dhe të këmbësorisë po shtojnë praninë e tyre në sektorët veriorë dhe qendrorë të enklavës, ndërsa janë regjistruar edhe viktima.
Vdekjet e civilëve janë rritur ndjeshëm, ndërsa raportohet për dhjetëra palestinezë të vrarë nga bombardimet e disa ndërtesave në Jabalia, në veri të qytetit të Gazës. Izraeli pretendon se vrau 50 militantë, duke përfshirë Ibrahim Biarin, një nga komandantët e sulmit të Hamasit të 7 tetorit. Mësohet se shumë militantë palestinezë janë vrarë.
Brenda Izraelit po zhvillohet një betejë politike në lidhje me zhvillimin e luftës, me mënyrën si do veprohet. Figura kryesore politike izraelite është Benyamin Netanyahu, personi dominues në politikën izraelite për më shumë se dy dekada, i cili tani mund të jetë njeriu i gabuar në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
Ai perceptohet gjerësisht se ka humbur besimin e publikut izraelit dhe se është personi që ka nisur një luftë në Gaza. Ai është gjithashtu një politikan, që duket se nuk pranon zgjidhjen me dy shtete, që Amerika po kërkon, në këmbim të mbështetjes së ofensivës izraelite.
Më 31 tetor, Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit, i tha Kongresit se ai mbështet Autoritetin Palestinez, që ta drejtojë Gazën, pasi Izraeli të ikë prej andej.
Perceptimi i opinionit publik për Netanyahun
Opinioni publik duket se ka pakënaqësi me kryeministrin izraelit. Publiku izraelit ka akuzuar Netanyahun, se dështoi ta mbrojë Izraelin dhe prandaj Hamasi goditi qytetet hebreje. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, gjysma e izraelitëve u besojnë komandantëve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) për të udhëhequr luftën, kurse vetëm një e pesta e tyre besojnë tek Netanyahu dhe gjeneralët. Vetëm një pakicë e vogël i beson më shumë Netanyahut.
Kjo e ka zemëruar Netanyahun, duke komplikuar situatën, pasi mund të ketë përçarje brenda kabinetit të luftës izraelite. Zyrtarët e pranishëm në takimet e “kabinetit të luftës”, kanë përshkruar një atmosferë “traumatike”. Netanyahu fajësoi krerët e inteligjencës ushtarake dhe agjencisë së sigurisë Shin Bet për sulmet e 7 tetorit. Ai e fshiu postimin, pas kritikave publike nga anëtarët e kabinetit të luftës.
Lufta e brendshme po pengon gjithashtu programet e ndihmës për qytetarët izraelitë. Dhjetëra e mijëra familje janë zhvendosur nga komunitetet përreth kufijve të Gazës dhe në veri, ku Hezbullahu ka bombarduar Izraelin nga Libani. Drejtuesit e këshillit vendor ankohen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria për rregullimin e banesave të përkohshme.
Ministri i financave, Bezalel Smotrich, lider i partisë së ekstremit të djathtë, Zionizmi Fetar, është përpjekur të devijojë fondet nga programet e ndihmës drejt vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor dhe interesave të tjera të veçanta.
Netanyahu nuk pranon zgjidhjen me dy shtete
Dobësia më e madhe e Netanyahut është se ai nuk pranon zgjidhjen me dy shtete, gjë që ndërkombëtarët e kanë kërkuar gjithmonë. Zgjidhja me dy shtete ruan mbështetjen amerikane dhe mbështet marrëveshjet e Abrahamit, të cilat vendosën lidhje diplomatike me një grup shtetesh arabe.
Në mungesë të një drejtimi të qartë qeveritar, struktura e mbrojtjes izraelite po bën vetë gjithë planifikimin. Zgjidhja e preferuar është të shohë kthimin përfundimisht të Izraelit në Gaza, zone që e kontrolloi deri në grushtin e shtetit të Hamasit, në vitin 2007.
Udhëheqja palestineze e ka të qartë se do kërkojë me patjetër zgjidhjen me dy shtete. Pavarësisht kësaj, disa nga anëtarët e djathtë të koalicionit të Netanyahut kundërshtojnë çdo kërkesë të palës kundërshtare.
Edhe sa mund të mbijetojë Netanyahu?
Protestat e përhapura kundër qeverisë dhe agjendës së saj legjislative joliberale u zhvilluan për shumë muaj përpara sulmeve të 7 tetorit. Lëvizjet rebele nga brenda qeverisë nuk janë ende kërcënim, pasi rrëzimi i Netanyahut do të kërkonte një shumicë në Knesset, për të pasur një kryeministër alternativ. Në sistemin politik të Izraelit, asnjë kandidat tjetër nuk ka mbështetjen e Benjamin Netanyahut.
Kabineti i luftës përfshin edhe Benny Gantz, i cili drejton partinë e dytë më të madhe në opozitë. Persona të afërt me Gantz thonë se ai ‘po e gëlltit’ zhgënjimin e tij për interesin kombëtar izraelit.
Për momentin, Netanyahu vazhdon të jetë në krye të qeverisë së Izraelit. Izraeli është i aftë për të luftuar në Gaza dhe madje mund të ketë sukses në rrëzimin e Hamasit. Por pas operacionit në Gaza, njeriu kyç në krye të qeverisë nuk ka përgjigje, për atë që do të ndodhë pas luftës./Economist- Zëri.ai/