
TURQI- Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka folur për konfliktin në Lindjen e Mesme, duke theksuar mbështetjen për të drejtën e Iranit për vetëmbrojtje kundër Izraelit.
“Është një e drejtë shumë e natyrshme, legjitime dhe ligjore për Iranin që të mbrohet nga banditizmi dhe terrorizmi shtetëror i Izraelit”, tha udhëheqësi turk, duke pretenduar se "Netanyahu e ka tejkaluar prej kohësh Hitlerin mizor në krimin e gjenocidit".
Duke folur para grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet, presidenti turk tha të gjitha institucionet janë në gatishmëri të lartë në lidhje me efektet e mundshme të këtyre sulmeve ndaj Turqisë. Erdogan paraljmëroi se po bën përgatitje për çdo lloj skenari.
"Vetëmbrojtja e Iranit kundër kësaj sjelljeje grabitqare të Izraelit, kundër këtij regjimi shtetëror terrorist, është një e drejtë plotësisht e natyrshme, ligjore dhe legjitime. Irani ka marrë një sulm të qartë nga një vend që nuk njeh ligjin, nuk njeh rregullat, nuk ka parime. E përsëris: Heshtja përballë këtij agresioni, kësaj shpërfilljeje të rregullave, këtij terrorizmi shtetëror dhe grabitjeje, do të thotë që ju pranoni atë që po ndodh. Jo vetëm ata që mbështesin guximin e Izraelit, por edhe ata që heshtin, kanë gjakun e civilëve, foshnjave dhe fëmijëve të vrarë në duart dhe në flokët e tyre, dhe ky gjak nuk do të lahet kurrë", tha presidenti turk.
Presidenti turk theksoi gjithashtu se që nga 13 qershori, kur filloi konflikti midis Izraelit dhe Iranit, ai është angazhuar në një aktivitet të dendur diplomatik, duke kujtuar se ka folur dy herë me presidentët e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe të Iranit, Masud Peskov, si dhe me udhëheqës të rajonit tonë, si dhe me presidentin rus Vladimir Putin. Ai deklaroi se Turqia mund të flasë me Iranin dhe po bën përpjekje për të zgjidhur çështjen bërthamore iraniane përmes mjeteve diplomatike./ZËRI