
INDI- Namrata Nangia dhe bashkëshorti i saj kanë menduar të kenë një fëmijë tjetër që kur lindi vajza e tyre pesë vjet më parë. Por gjithmonë lind e njëjta pyetje: A mund ta përballojmë dot?
Namrata jeton në Mumbai të Indisë dhe punon në industrinë farmaceutike, ndërsa burri i saj është i punësuar në një fabrikë gomash.
Megjithatë, kostot për një fëmijë janë shumë të larta. Tarifat e shkollimit, bileta e autobusit shkollor dhe madje edhe shkuarja te mjeku janë shpenzime të mëdha për një familje. Ishte ndryshe kur Namrata po rritej.
"Ne vetëm sa shkonim në shkollë, nuk kishim aktivitete jashtëshkollore, por sot një fëmijë duhet të shkojë të notojë, të vizatojë, duhet të shohësh se çfarë tjetër mund të bëjë."
Sipas raportit të fundit nga Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) mbi shëndetin riprodhues, ka shumë njerëz si Namrata në botë. Normat e fertilitetit janë në pikën e tyre më të ulët ndonjëherë dhe se qindra miliona njerëz nuk janë në gjendje të kenë aq fëmijë sa duan. Disa nga arsyet e cituara përfshijnë kostot e larta të prindërimit dhe mungesën e një partneri të përshtatshëm.
UNFPA anketoi 14,000 njerëz në 14 vende në lidhje me planet e tyre të prindërimit.
Çdo i pesti i anketuar deklaroi se nuk mund të ketë aq fëmijë sa dëshiron në të vërtetë. Hulumtimi u krye në Korenë e Jugut, Tajlandë, Itali, Hungari, Gjermani, Suedi, Brazil, Meksikë, Shtetet e Bashkuara (SHBA), Indi, Indonezi, Marok, Afrikën e Jugut dhe Nigeri.
Një e treta e popullsisë së botës jeton në këto vende dhe është një kombinim i vendeve me të ardhura të ulëta, të mesme dhe të larta, si dhe vendeve me shkallë të ulëta dhe të larta fertiliteti. UNFPA anketoi të rinjtë, e po ashtu edhe ata që nuk janë më në moshën e tyre riprodhuese.
"Bota ka filluar një rënie të paparë të normave të fertilitetit. Shumica e njerëzve që anketuam duan dy ose më shumë fëmijë. Shkalla e fertilitetit po bie, kryesisht sepse shumë njerëz ndihen të paaftë për të krijuar familjen që dëshirojnë. Dhe kjo është kriza e vërtetë,"- thotë Dr. Natalia Kanem, Drejtoreshë e UNFPA-së.
Me fjalë të tjera, duket se numri i njerëzve në botë që kanë më pak fëmijë nga sa dëshironin është më i lartë nga sa supozohej më parë.
Megjithatë, disa gjetje janë të qarta.
Një total prej 39 përqind e njerëzve që nuk kishin aq shumë fëmijë sa dëshironin përmendën kufizimet financiare si arsyen kryesore. Përqindja më e lartë e rasteve të tilla u regjistrua në Korenë e Jugut (58 përqind) dhe më e ulëta në Suedi (19 përqind). Në përgjithësi, vetëm 12 përqind e të anketuarve përmendën infertilitetin, ose vështirësinë në ngjizje, si arsyen pse nuk kishin aq shumë fëmijë sa dëshironin. Përqindja e këtyre rasteve ishte më e lartë në Tajlandë (19 përqind), Shtetet e Bashkuara (16 përqind), Itali dhe Afrikën e Jugut (15 përqind), Nigeri (14 përqind) dhe Indi (13 përqind).
UNFPA zbuloi gjithashtu se mungesa e kohës është një pengesë e madhe për të krijuar një familje. Kjo është konfirmuar nga Namrata nga Mumbai. Ajo kalon rreth tre orë duke udhëtuar për në punë dhe duke u kthyer në shtëpi çdo ditë.
Kur kthehet në shtëpi, është e rraskapitur, por dëshiron të kalojë kohë me vajzën e saj.
"Pas një dite në punë, ke atë ndjenjë faji si nënë që nuk po kalon kohë të mjaftueshme me fëmijën tënd. Kjo është arsyeja pse vendosëm të përqendrohemi vetëm te një fëmijë."/ZËRI