
IGUMENICË- Qindra banorë të Igumenicës, Greqi kanë protestuar kundër mbylljes së repartit ushtarak të Batalionit 628 të Këmbësorisë në Filiates, i vetmi në prefekturën rurale të Thesprotisë. Atas kanë kërkuar që të mos mbyllet pasi është kritik për sigurinë dhe kohezionin e shoqërisë lokale. Në demostratën e organizuar nga fshati në kufi me Shqipërinë kanë marrë pjesë zyrtarë të pushtetit vendor, përfaqësues të grupeve shoqërore dhe një pjesë e madhe e banorëve.
Ata kanë mbajtur parulla si “Duart poshtë nga 628”, “Jo mbylljes”, “Thesprotia do siguri, jetë dhe punë”, duke shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj largimit të mundshëm të njësisë ushtarake. Ata më pas kanë marshuar nga qendra e qytetit drejt portit, ku mbyllën në mënyrë simbolike hyrjen e tij. Protestat kanë nisur një javë më parë, ndërsa kanë paralajmëruar se protestën e radhës do të mbajnë në Athinë, jashtë Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, ku pritet t’i bëhet kërkesa lidershipit politik dhe ushtarak që të anulojë vendimin për mbylljen e repartit në fjalë.
Prej të martës së kaluar, janë zhvilluar tubime në komunën e Filatit ku pjesë e protestave janë bërë edhe nxënësit, të cilët kanë bojkotuar prej ditësh mësimin. Tubimi ka marrë përmasa më të mëdha, pasi edhe punonjësit e bashkisë nuk kanë shkuar në zyra. Banorët dhe zyrtarët lokalë shprehen se reparti ushtarak krijon një ndjenjë sigurie në zonën e tyre rurale, si dhe kontribuon në ekonominë lokale, që fatkeqësisht vazhdon të tkurret./ZËRI