
MAQEDONI E VERIUT- Katër të dyshuarit Vlatko Keshishov nga Shtipi, Velibor Manev, Bore Vidoevski dhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski janë njohur sot me masën e tyre të sigurisë. Për 30 ditë do të qëndrojnë të izoluar, ndërsa Ljupço Palevski Palco, i dyshuari kryesor dhe vrasësi i 14-vjeçares është në arrati dhe po kërkohet. Ndaj tij është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar. I ati i vajzës është kapur nga kamerat teksa 2 policë e mbajnë prej krahësh, ndërsa ai vetë nuk largon një çantë nga dora. E paqartë është se çfarë ka brenda saj.
Të gjithë të dyshuarit ndodhen në Shuto Orizar, ku edhe babai i Vanjës është marrë në pyetje në Prokurori, por këmbëngul se nuk ka asnjë lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e të bijës. Trupat e Vanjës dhe Pançes janë gjetur në afërsi të Shkupit dhe Velesit. Si vajza dhe i moshuari ishin raportuar të zhdukur në Polici. Ndonëse nuk kanë lidhje, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria dyshojnë të njëjtët persona për rrëmbimin dhe vrasjen e tyre.
Vanja është rrëmbyer nga hyrja e banesës së saj në Qendrën e Shkupit herët më 27 nëntor kur ishte nisur për në shkollë. Me këmbë dhe duar të lidhura, Vanja është futur në veturën Citroen, pronar i së cilës ishte Zhezhovski, tashmë i vrarë. Vanja u dërgua jashtë Shkupit në Brazda, ku u vra dhe u varros dhe automjeti u dogj. Tre të dyshuar e pranuan fajin, por babai i Vanjës e kontestoi në deklaratën fillestare duke ngulur këmbë në pafajësinë e tij. Megjithatë prokurori i çështjes pretendon se ka prova që tregojnë se e mitura është vrarë në panik, nga frika se mos zbuloheshin.
Dy ditë pas zbulimit të trupit të saj, e mitura është dërguar në banesën e saj të fundit, në varrezat e qytetit Butel./ZËRI