
MAQEDONIA E VERIUT- Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të enjten, më 6 qershor i ka dhënë mandatin për formimin e Qeverisë, kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Pas marrjes së mandatit, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka afat prej 20 ditësh për paraqitjen në Kuvend të përbërjes së re të Qeverisë dhe programit të punës. Mickoski ka thënë se dorëzimin e listës me emrat për përbërjen e Qeverisë së re do ta bëjë në afatin e parë të mundshëm.
Zgjedhjet e 8 Majit u fituan nga opozita dhe tashmë, pas marrëveshjes së arritur me koalicionin e partive shqiptare VLEN dhe Lëvizjen ZNAM, Mickoski ka siguruar një shumicë prej 78 deputetësh nga 61 që është minimumi për shumicën qeverisëse. Lideri i VMRO-DPMNE-së reagoi serish për çështjen e emrit të vendit, pas kritikave nga fqinjët, por edhe partnerët ndërkombëtar.
"Gjithçka e përfshirë në marrëveshjen e Prespës, përfshirë edhe pjesën e emrit, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë.. Por për mua atdheu im në çdo deklaratë që bëj është Maqedonia dhe do të mbetet Maqedoni”,-u shpreh ai.
Mickoski nuk ka dhënë detaje rreth ndarjes së ministrive apo se kush do t’i drejtojë ato, ndërkohë që përfaqësues të koalicionit VLEN kanë thënë se në Qeverinë e re do të kenë një zëvendëskryeministër, gjashtë ministri, dy prej të cilëve do të jenë pa resor, si dhe shtatë zëvendësministra.