Bota

Merr fund rezistenca, arrestohet presidenti i pezulluar i Koresë së Jugut

Teknikisht ai është ende presidenti, pasi gjykata kushtetuese duhet të vendosë nëse shkarkimi i tij është i vlefshëm.

I.F
Merr fund rezistenca, arrestohet presidenti i pezulluar i Koresë së
Yoon Suk Yeol

SEUL- Presidenti i shkarkuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është arrestuar sot duke i dhënë fund përplasjeve mes hetuesve dhe sigurimit të tij personal. Yoon akuzohet për kryengritje pas përpjekjes së tij të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak, që e zhyti vendin në një krizë politike. Ky është presidenti i parë në historinë e vendit që arrestohet. Teknikisht ai është ende presidenti, pasi gjykata kushtetuese duhet të vendosë nëse shkarkimi i tij është i vlefshëm.

Udhëheqësi 64-vjeçar tha se pranoi të paraqitej para Zyrës së Hetimit të Korrupsionit për zyrtarë të lartë (CIO) për të shmangur gjakderdhjen. Në një video-mesazh, Yoon tha se do të respektonte hetimin kundër tij edhe pse ishte kundër tij.

“Vendosa të paraqitem para CIO-s, edhe pse është një hetim i paligjshëm, për të parandaluar çdo gjakderdhje”, tha ai.

Më shumë se 1000 oficerë ishin pjesë e operacionit të së mërkurës, i cili shënoi herën e dytë që tentonin ta arrestonin.

Yoon u pezullua nga të gjitha detyrat presidenciale pasi u shkarkua nga Parlamenti për shkak se vendosi përkohësisht ligjin ushtarak në vend. Trupa të maskuara, të pajisur me pushkë, jelekë antiplumb dhe pajisje për shikim natën, u futën në Parlament ku u përballën me punonjës që i kundërshtonin me shuarës zjarri.

Ligji ushtarak zgjati vetëm disa orë, pasi Parlamenti votoi për ta rrëzuar atë dhe Yoon u tërhoq. Ky veprim i presidentit e tronditi kombin, i cili që nga vitet ‘80-ta ka qenë demokraci, si dhe shkaktoi alarm ndërkombëtar në mesin e aleatëve si Shtetet e Bashkuara dhe partnerëve tregtarë të ekonomisë së katërt më të madhe të Azisë. Një gjyq në Gjykatën Kushtetuese ka nisur për të vendosur nëse Yoon do të kthehet në detyrë, apo do të përjashtohet përfundimisht. Gjykata ka 180 ditë për ta marrë vendimin. /ZËRI

Poll

MOS HUMB