
KOSOVË-Kosova ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri. Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok. Arsyeja e mbylljes së tyre sipas Policisë së Kosovës është se institucionet postare po operojnë me operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK). Mbyllja e objeketve ka sjellës humë reagime. Sa i përket figuarve politike të Kosovës, e quajnë vendimin të duhur dhe sipas tyre Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka mbrojtur aksionin e autoriteteve të Kosovës. Gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Sveçla u pyet nga gazetarët për aksionin, i cili u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, tha Sveçla.
Po ashtu edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e mbështet vendimin për mbylljen e postave të Serbisë dhe u shpreh se veprimet e ndërmarra janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë, dhe kushtetutshmërisë në vend.
Postimi i tij i plotë:
Pas informacioneve të marra nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licensë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), Policia ka mbyllur ditën e djeshme nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri. Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.
Republika e Kosovës punon çdo ditë që t'i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian. Përmes Marrevëshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në, ne si shtet obligohemi që sipas neneve 74, 75, 91, 94, 96 dhe 99, të ndërtojmë dhe praktikojmë ekonominë e tregut të lirë, t'i përmbahemi rregullave të mbrojtjes së konkurrueshmërisë në treg si dhe ndalimit, parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të tjera ilegale. Për më tepër, parakushtet kryesore për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e respektimi i tyre. Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës. Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo asesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian.
Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale.
Nga ana tjetër mbyllja e objekteve është dënuar prej Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka shprehur shqetësimin e tij për aksionin e policisë së Kosovës për mbylljen e postave në veri të vendit. Vuçiç tha se Kurti po përpiqet të provokojë një luftë, të organizuar dhe mbështetur nga disa fuqi perëndimore.
"Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen, por ai po e bën atë qëllimisht, të organizuar dhe me mbështetjen e disa fuqive perëndimore. Jam shumë i shqetësuar për fatin e njerëzve në Kosovë, jam i pakënaqur me reagimin e ndërkombëtarëve, sepse mendoj se një pjesë e mirë e tyre në heshtje e lejojnë Albin Kurtin të bëjë atë që po bën, përndryshe do ta sanksiononin. Për shkak të dy anëtarëve të Bashkimit Evropian që gjithmonë i zbusin të gjitha qëndrimet që duhet të shkojnë kundër Prishtinës dhe Kurtit ata përpiqen të na bëjnë budallenj. Unë personalisht kam folur me Lajçakun, i kam dërguar një mesazh të qartë, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjmë ," u tha Vuçiç gazetarëve në minierën e Resavicës.
Kundër këtij vendimi ka dalë edhe Bashkimi Europian, ku zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano u shpreh se ky vendim çon në një përshkallëzim shtesë. Stano bëri thirrje se Bashkimi Europian pret që Prishtina ta rishqyrtojë këtë vendim edhe në kuadër të dialogut me Beogradin, i cili zhvillohet me ndërmjetësim. Stano deklaroi se mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës është një hap i njëanshëm dhe i pakoordinuar që shkel marrëveshjet nga Brukseli./ZËRI