
MAQEDONIA E VERIUT- Është mbyllur procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut. Në orën 19:00 qendrat e votimit u mbyllën dhe për pak pritet të nisë dhe procesi i numërimit të votave, ku do dalë dhe emri i Presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut. Në garë janë dy shqiptarë, Bujar Osmani dhe Arben Taravari. Por gjasat janë që njëri prej tyre të kalojë në ruandin e dytë të zgjedhjeve. Raundi i dytë pritet të mbahet më 8 maj në një ditë me zgjedhjet për qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Incidentet
Dita e sotme pavarësisht se në tërësinë e saj ishte e qetë u regjistruan dhe disa incidente. Një 48-vjeçar, u arrestua në Ohër pasi u kap duke fotografuar fletën e votimit në vendvotimin 1271. Dosja në ngarkim të tij i kaloi Prokurorisë ndërsa sipas policisë, ky ishte një rast i izoluar në këtë qendër.
Ndërkohë, në fshatin Likovë, në Shkollën fillore Dituria, në vendvotimin 1112/1, u raportua se ka pasur keqpërdorim. Sipas mediave vendase, një personi i janë dhënë dy fletëvotime.
Pjesëmarrja në zgjedhje
Deri në orën 18:00, një orë para mbylljes së qendrave të votivit në vend kishin votuar 291 777, respektivisht 47,61%. Sipas të dhënave të deritanishme lidhur me daljen, dalje më e madhe është shënuar në Novaci me 71,07%, ndërsa dalje më e ulët në Shuto Orizare, 22,06%. Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale, që nga viti 1991 kur Maqedonia e Veriut fitoi pavarësinë nga Republika Federale e Jugosllavisë./ZËRI