
GAZA - Numri i të vrarëve në Gaza, që kur Izraeli filloi të bombardonte territorin, ka arritur në 10,022. Kjo është shifra e Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi.
Shifra u rrit, pas një nate sulmesh intensive izraelite. Ushtria e Izraelit tha se ata goditën qindra objektiva, duke përfshirë një kompleks ushtarak të Hamasit. Drejtori i spitalit më të madh në qytetin e Gazës i tha BBC më herët se rreth 200 njerëz u vranë natën që shkoi.
Një grup i agjencive humanitare të OKB-së dhe organizatave bamirëse kanë thënë se vrasjet e tmerrshme të civilëve në Gaza janë një ngjarje e rëndë në rajon. Mijëra fëmijë besohet të jenë në mesin e të vdekurve.
Disa politikanë, duke përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, kanë vënë në dyshim saktësinë e shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.
Kur u pyetën për numrin e viktimave, zyrtarët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ata besonin se numrat ishin të besueshëm. Ashtu si agjencitë e tjera qeveritare në Gaza, Ministria e Shëndetësisë kontrollohet nga Hamasi, një grup i konsideruar terrorist në Britani, SHBA dhe BE.
Sot, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken ishte në rajon, ku tha se viktimat e luftës duhet të minimizohen.
Ai tha se bisedimet e tij në rajon janë fokusuar në tre gjëra - si të zgjerohet ndihma humanitare, si të ndalohet përhapja e konfliktit dhe gjithashtu "çfarë mund të bëjmë për të vendosur kushtet për një paqe të qëndrueshme të izraelitëve dhe palestinezëve".
Duke folur pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në Ankara, Blinken tha gjithashtu se po punohet për të pasur ndihmë shtesë në Gaza. “SHBA po punon në mënyra shumë konkrete për të marrë ndihmë shtesë në Gaza”, tha Blinken. Ai u tha gazetarëve se kishte bërë përparim të mirë në punën për ta zgjeruar ndihmën.
Izraeli filloi sulmet e tij në Gaza pasi Hamasi vrau më shumë se 1,400 njerëz në Izrael dhe rrëmbeu më shumë se 200 të tjerë më 7 tetor. Ushtria izraelite thotë se operacioni i saj synon të shkatërrojë plotësisht Hamasin./Zëri.ai/