
KOSOVË – Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur akuzë ndaj një serbi, banues në Serbi, me inicialet G.M, për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale ‘krim i luftës kundër popullsisë civile’.
“Prishtinë, 29 nëntor 2023 – Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit G.M. i nacionalitet serb, Shtetas i Kosovës dhe Serbisë, me adresë të vendbanimit në Serbi, për shkak të dyshimit të mirë bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
I pandehuri akuzohet se me 22 maj 1999, ka marrë pjesë në vrasjen e 109 të burgosurve dhe në plagosjen e 108 të burgosurve të tjerë, që të gjithë të nacionalitetit shqiptarë, e njohur si ‘’Masakra e Dubravës”, njofton Specialja.
Në njoftim thuhet se janë siguruar prova të mjaftueshme, se i pandehuri ka bashkëpunuar me persona të tjerë të nacionalitetit serb, kryesisht policë e ushtarakë të Serbisë, në kryerjen e veprave penale. Më tej njoftimi thotë se ndaj të pandehurit është caktuar masa e paraburgimit në mungesë, pasi ai nuk është gjendur në vendbanimin e tij.
Masakra e Burgut të Dubravës u shënua gjatë kohës së luftës së Kosovës, ku u vranë së paku 99 të burgosur shqiptarë të Kosovës dhe u plagosën rreth 200 të tjerë në burgun e Dubravës, në veri-perëndim të Kosovës më datat 22-24 maj 1999./Zëri.ai/