
GAZA- Izraeli pranoi që të vazhdojë me procesin e lirimit e palestinezëve të burgosur, si pjesë e armëpushimit të Gazës dhe marrëveshjes për lirimin e pengjeve. Dy autobuzë me rreth 110 të burgosur u larguan nga burgu Ofer për në Bregun Perëndimor. Sipas Times of Israel, sipas një kërkese të qeverisë së Benjamin Netanyahut xhamat e autobusëve duhet të jenë të errët.
Më herët, Izraeli vonoi lirimin e të burgosurve, duke protestuar për kaosin që mbizotëronte gjatë transferimit të dy pengjeve izraelitë dhe pesë tajlandezë, për shkak të protestave. Për të vazhduar me marrëveshjen Tel Aviv kërkoi nga ndërmjetësit garanci se skena të ngjashme nuk do të përsëriteshin përpara se të vazhdonte me dorëzimin e të burgosurve. Izraeli nuk e ka konfirmuar zyrtarisht fillimin e procesit të lirimit.
Pamjet nga Ramallah tregojnë një turmë familjesh të mbledhur për të pritur dy autobusët që transportonin të arrestuarit.
“Përgatitjet për fazën e dytë të marrëveshjes”
Në të njëjtën kohë, koordinatori izraelit për lirimin e pengjeve, Gal Hirsch, tha se Izraeli po përgatitet për negociata në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit dhe është i vendosur të sjellë të gjithë pengjet në shtëpi.
"Ne jemi aktualisht në përgatitje për të rifilluar negociatat në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimin e pengjeve, tha Hirsch.
Faza e dytë e marrëveshjes tre-pjesëshe pritet të çojë në lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura të gjallë që nuk përfshihen në fazën e parë, kryesisht burra, por palët ende nuk kanë rënë dakord për numrin dhe identitetin e të burgosurve palestinezë që do të lirohen si pasojë e marrëveshjes.
Negociatat për fazën tjetër pritet të nisin jo më vonë se 3 shkurt, 16 ditë pas arritjes së marrëveshjes. Vihet re se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti i SHBA-ve Donald Trump do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 4 shkurt. /ZËRI