
FRANCË- Liderja e ekstremit të djathtë në Francë Marine le Pen do të dalë para drejtësisë së bashku me 26 anëtarë të partisë së saj pasi akuzohen për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Europian. Ky është vendimi që ka marrë Prokuroria e Parisit këtë të premte. Kjo kërkesë e Prokurorisë vjen pas një hetimi shtatëvjeçar mbi pretendimet se partia, e quajtur në atë kohë Fronti Kombëtar, kishte përdorur paratë e destinuara për asistentët e parlamentit të BE-së për të paguar stafin që punonte për partinë midis viteve 2004-2016.
Ligjvënësve e BE-së u ndahen fonde për të mbuluar shpenzimet, duke përfshirë asistentët e tyre, por nuk duhet t'i përdorin ato për shpenzimet e partisë. Rregullat thonë se asistentët e paguar nga Parlamenti Evropian duhet të punojnë drejtpërdrejt në çështjet parlamentare të Strasburgut.
Rasti përfshin 11 eurodeputetë, duke përfshirë Le Pen dhe babain e saj 95-vjeçar, ish-udhëheqësin e partisë Jean-Marie Le Pen, si dhe 12 asistentë parlamentar dhe katër bashkëpunëtorë të partisë. Vetë partia përballet me akuzat për fshehje të shkeljeve. Që nga fillimi i hetimit të gjatë, Le Pen dhe partia e saj kanë mohuar akuzat. Në vitin 2017, Le Pen tha se akuzat përbënin "persekutim" politik kundër saj.
“Ne e kundërshtojmë këtë qëndrim, i cili duket se është një kuptim i gabuar i punës së ligjvënësve të opozitës dhe ndihmësve të tyre, që është mbi të gjitha politik”, tha në një deklaratë Bashkimi Kombëtar.
Le Pen dha dorëheqjen si eurodeputete në vitin 2017 pas zgjedhjes së saj në parlamentin francez. Në Francë , partia e saj e ekstremit të djathtë, kundër imigracionit është tani partia më e madhe opozitare në parlament. Le Pen po përgatitet të kandidojë për herë të katërt për president në vitin 2027, kur Emmanuel Macron nuk do të ketë të drejtë të kandidojë përsëri.
Partia e saj shpreson të rrisë numrin e saj të eurodeputetëve në zgjedhjet evropiane të qershorit të ardhshëm. Akuzat se punonjësit e Frontit Kombëtar morën rrogat e stafit nga parlamenti evropian ndërsa bënin punë të ndara për partinë e Le Pen u referuan për herë të parë në BE në vitin 2015. Në vitin 2017, Le Pen u vu nën hetim zyrtar në Francë mbi akuzat se partia e saj kërkoi miliona euro nga parlamenti evropian për të paguar stafin me bazë në Francë./Zëri