MAQEDONIA E VERIUT-Deabti midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, për mënyrën se si shprehet emri i vendit duket se do të vijojë akoma, pasi presidentja nuk bën 'hap' pas. Ministri i Jashtëm grek, Giorgios Gerapetritis tha në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore të mbajtur në Maqedoninë e Veriut, se zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare janë thelbësore.
Ai u shpreh se për sa i përket Ballkanit Perëndimor, Greqia nuk është ndalur që nga Deklarata e Selanikut në vitin 2003 dhe deri më sot të mbështesë nxitjen e procesit të zgjerimit të unionit. Zyrtari i lartë grek, kërkoi zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të lidhur me vendet fqinje, përfshi këtu atë me Maqedoninë e Veriut për emrin, çështje e cila në javët e fundit është kthyer në një debat midis Shkupit dhe Athinës. Për Presidenten e Maqedonisë së Veriut, liria e shprehjes është e shenjtë duke i rezervuar të drejtën për të përmendur emrin Maqedoni dhe jo Maqedonia e Veriut. Por gjithsesi presidentja e Maqedonisë së Veriut, përsëriti se nuk po shkel kushtetutën, duke u shprehur për vendin me emrin 'Maqedoni', sepse në dokumente figuron emri Maqedonia e Veriut.
“Së pari, nuk mendoj se po shkel Kushtetutën, nuk mendoj se mospërdorimi i emrit kushtetues siç e shihni ju mund të shkaktojë probleme. Fillimisht, më lejoni t’ju kujtoj – si dokumentet e mia, ato që unë firmos dhe ato që posedoj, qoftë pasaporta apo letërnjoftimi, të gjitha dokumentet që dalin nga kabineti, janë me emrin kushtetuese. Është në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare dhe në kuadrin e Kushtetutës. E ritheksoj se që nga koha e Sokratit e deri në ditët e sotme, unë si qenie njerëzore kam të drejtë të shprehem ashtu siç shprehem, brenda parametrave të lirisë së mendimit dhe shprehjes së lirë të mendimit. Nuk besoj se kjo bie ndesh me Kushtetutën apo të drejtën ndërkombëtare”,-u shpreh Gordana Siljanovska Davkova.
Siljanovska Davkova në ceremoninë e betimit në Kuvendin e Shkupit, e ndryshoi betimin dhe në vend që të betohet si presidente e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke mos përmendur “Veriu”. Ajo u betua si presidente e “Republikës së Maqedonisë”, duke shkelur jo vetëm Marrëveshjen e Prespës por edhe Kushtetutën e vetë vendit të saj. Kështu shkaktoi krizën e parë me Greqinë. /ZËRI