
SUDAN- Një raport i fundit nga Kombet e Bashkuara tha se gati 26 milionë njerëz, ose më shumë se gjysma e popullsisë në Sudan po përballen me nivele të larta të krizës së urisë. Gratë, në qytetin Omdurman të Sudanit, thanë se në këmbim të jetës së tyre dhe familjarëve të tyre janë të detyruara të bëjnë seks me ushtarë në këmbim të ushqimit. Më shumë se 20 gra treguan se të bënin seks me burra të ushtrisë sudaneze ishte mënyra e vetme që ata mund të kishin akses në ushqim ose mallra që më pas mund të shisnin për të mbledhur para për të ushqyer familjet e tyre.
Nuk ka zgjidhje tjetër përveç seksit
Një grua tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të bënte seks me ushtarët për të siguruar ushqim për prindërit e saj të moshuar dhe vajzën 18-vjeçare.
“Të dy prindërit e mi janë shumë të moshuar dhe të sëmurë dhe nuk e kam lënë kurrë vajzën time të dalë për të kërkuar ushqim. Unë shkoja te ushtarët që kanë nën kontroll zonën e fabrikes dhe kjo ishte mënyra e vetme për të marrë ushqim, të ofroja trupin tim”, tha ajo.
Para se të shpërthente lufta, 37-vjeçarja, e cila ishte në një gjendje të keqe fizike dhe emocionale, tha se punonte si shërbyese për familjet që jetonin në pjesët e pasura të Omdurmanit, por ishte shumë e varfër për të lënë qytetin dhe për të lëvizur familjen e saj në një vend më të sigurt.
Disa nga gratë që folën për “The Guardian” thanë se ushtarët kërkojnë gjithashtu seks në këmbim të aksesit në shtëpitë e braktisura ku është ende e mundur të grabiten sende për t'u shitur në tregjet lokale. Një grua tha se pasi kishte bërë seks me ushtarët i lejohej të merrte ushqim, pajisje kuzhine dhe parfum nga shtëpitë bosh. Ajo foli për turpin e saj, për sulmin seksual që u detyrua të duronte dhe si duhet të merrte objekte në pronë për të mbijetuar.
"Unë nuk jam një hajdute. Ajo që kam kaluar është e papërshkrueshme, nuk do ia uroja armikut... E bëra vetëm sepse doja të ushqeja fëmijët e mi”, tha ajo.
Organizatat e ndihmës po përpiqen të marrin ushqim për njerëzit në nevojë të dëshpëruar në të gjithë vendin, dhe megjithëse Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha kohët e fundit se po bënte dërgesa në rajonin e Khartoum, gratë me të cilat foli Guardian thanë se nuk kishin parë asnjë ndihmë ndërkombëtare që u vinte atyre lagjeve.
Një grua e tretë me të cilën foli Guardian tha se ajo ishte torturuar nga ushtarët sepse ajo ndaloi së kryeri marrëdhënie seksuale me ta. 21-vjeçarja tha se kishte bërë seks me ushtarë në këmbim të lejimit të plaçkitjes së shtëpive në Omdurman perëndimore, por ajo ndaloi kur vëllezërit e motrat i thanë se ishin kundër plaçkitjes.
Gruaja tregoi se kur u tha ushtarëve se nuk do të vinte më për t'i parë, dy prej tyre e lidhën dhe i dogjën këmbët.
“Ndonjëherë dëgjoj britma, por çfarë mund të bësh? Asgjë!"
Ushtarët dhe banorët e Omdurman konfirmuan raportet për gratë që detyroheshin të bënin seks. Një ushtar tha se edhe pse ai kurrë nuk i kishte shfrytëzuar personalisht gratë, ai kishte parë kolegët e tij ta bënin këtë.Ai përshkroi një incident ku një grua kishte marrëdhënie seksuale me ushtarët, të cilët lejuan motrat e saj të plaçkisnin shtëpitë.
"Është e tmerrshme. Mëkatet që po kryhen në këtë qytet nuk mund të falen kurrë”, tha ai.
Një banor i një lagjeje në Omdurman perëndimore tha se kishte parë ushtarë që sillnin gra në shtëpitë që u përkisnin njerëzve që kishin ikur.
“Shumë gra vijnë dhe rreshtohen jashtë lagjes sonë. Ushtarët i lejojnë të hyjnë dhe zgjedhin ato që iu duken të bukura dhe i lejojnë të hyjnë në shtëpi. Ndonjëherë dëgjoj britma, por çfarë mund të bësh? Asgjë!,”-tha ai./ZËRI