Bota

Lufta në Lindjen e Mesme, Trump: Irani ishte 4-5 herë pranë marrëveshjes me SHBA-në, tërhiqej në fund

Ai pretendoi gjithashtu se Irani kishte pranuar më herët t’ia dorëzonte SHBA-së rezervat e uraniumit gjatë negociatave mes dy vendeve

l.k
Lufta në Lindjen e Mesme, Trump: Irani ishte 4-5 herë pranë
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot se Irani ka qenë “katër apo pesë herë” pranë arritjes së një marrëveshjeje të plotë me SHBA-në, por është tërhequr vazhdimisht në momentin e fundit.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se: “sa herë që pajtohen, të nesërmen bëjnë sikur nuk kemi folur fare. Ka diçka që nuk shkon me ta. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.“

Ai pretendoi gjithashtu se Irani kishte pranuar më herët t’ia dorëzonte SHBA-së rezervat e uraniumit gjatë negociatave mes dy vendeve. 

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, mohoi se Teherani kishte pranuar kushtet e propozuara nga SHBA-ja. Ai deklaroi se çështja e pasurimit të uraniumit është “e ndërlikuar” dhe se Irani kishte propozuar që diskutimet për këtë temë të shtyheshin.

SHBA-ja dhe Irani vazhdojnë të kenë mosdakordësi të mëdha lidhur me programin bërthamor iranian, rezervat e uraniumit të pasuruar dhe kontrollin mbi Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për furnizimin botëror me naftë dhe gaz.

Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime civile, ndërsa SHBA-ja, Izraeli dhe vendet perëndimore e akuzojnë Iranin për përpjekje për zhvillimin e armëve bërthamore.

Muajin e kaluar u arrit një armëpushim i brishtë pas ndërhyrjes së SHBA-së, ndërsa Irani ka paralajmëruar se nuk do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit derisa Uashingtoni të heqë bllokadën ndaj porteve iraniane. Trump ka paralajmëruar se sulmet mund të rifillojnë nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje./ZËRI

Poll

MOS HUMB