
GAZA- Izraeli po "përparon gradualisht sipas planit" në Rripin e Gazës , tha zëdhënësi ushtarak izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari, gjatë një konferencës me gazetarët. Hagari tha se forcat izraelite kishin vrarë dhjetëra militantë të Hamasit gjatë natës, por nuk pranoi të konfirmonte pozicionin e forcave tokësore izraelite.
Në të njëjtën kohë, burime palestineze në Gaza i thanë Sky News se brezi i rrethuar është ndarë dhe nuk është më e mundur të udhëtohet nga veriu në jug në rrugën kryesore Salah al-Din.
"Për momentin (forcat izraelite) po e ndajnë Gazën dysh. Një pjesë veriore dhe një jugore”, shpjegoi korrespondenti i mediave britanike në Gaza.
"Tanket dhe buldozerët izraelitë janë në kryqëzimin Netsarim."
Më herët, banorët e zonës thanë se tanket izraelite kishin hyrë në një lagje në periferi të qytetit të Gazës dhe kishin bllokuar rrugën kryesore. Tanket kanë arritur në periferi të lagjes al-Zeytoun, duke bllokuar rrugën Salahuddin dhe duke qëlluar në çdo automjet që lëviz, thanë dëshmitarët.
Nga ana e saj, ushtria izraelite sqaroi se "trupat vranë dhjetëra terroristë të cilët ishin mbyllur në ndërtesa dhe tunele dhe që u përpoqën t'i sulmonin". Një dron synoi një ndërtesë brenda së cilës ndodheshin "më shumë se 20 terroristë të Hamasit", tha i njëjti burim.
Një avion goditi një vend lëshimi raketash antitank në zonën ku ndodhet Universiteti al-Azhar. Al-Azhar është në zemër të qytetit të Gazës dhe ka qenë në qendër të sulmeve izraelite që nga 7 tetori.
Për më tepër, ushtria izraelite vuri në dukje se në 24 orët e fundit goditi "më shumë se 600 objektiva" në Rripin e Gazës, mes tyre "depo armësh, dhjetëra vende lëshimi të raketave antitank, si dhe streha të përdorur nga organizata terroriste Hamas”./Zëri.ai