
SERBI- Gjykata në Beograd ka liruar Milan Radoiçiqin nga paraburgimi duke i ndaluar hyrjen në Kosovë. Lajmi njoftohet nga mediat në Beograd, një ditë pasi ai u ndalua nga autoritetet në Serbi.
Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi ka dëgjuar të pandehurin M.R. për arsyet e caktimit të paraburgimit, refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes, njoftuan nga Gjykata e Lartë në Beograd.
Kush është Milan Radoiçiç
Milan Radoiçiç është i lidhur me shumë ngjarje që janë zhvilluar në veriun e Kosovës. Emri i tij ka qenë i lakuar dhe për vrasjen e politikanit serb lokal, Oliver Ivanoviç. Radoiçiç është cilësuar edhe si “bosi” i veriut të Kosovës.
Radoiçiç besohet se ka pasur lidhje të forta me shtetin e Serbisë dhe ngjarjet ku ai ka qenë përfshirë bëheshin edhe nën emrin e shtetit serb. Ndërsa, për ngjarjen në Banjskë, ai vetë tha se gjithçka e kishte planifikuar nga ai.
Radoiçiç kishte shumë pushtet në veriun e Kosovës, në strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Madje, shefin policor në veriun e Kosovës, Radoiçiç e kishte mik të afërm, duke bërë që edhe policinë në këtë anë të Kosovës ta kishte “nën vete”. Gjithashtu, thuhet se Milan Radoiçiç i ka shërbyer Vuçiçit, duke mbledhur vota për të, si dhe me anë të Listës Serbe, mbështeste vijën politike të Beogradit në Kosovë.
Ka dyshime se dhe në rrëmbimin e policëve të Kosovës nga territori i Republikës së Kosovës ta ketë kryer me urdhër vetë Radoiçiç. Shumë djegie të makinave në veri dyshohet se bëheshin nga grupi i Radoiçiç, që frikësonte çdokënd që mund të bënte me të rivalitet.